Seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e Glauk Konjufcës si kryeministër pritet të mbahet më 19 nëntor, nëse shfrytëzohet i plotë afati ligjor prej 15 ditësh. Kështu ka deklaruar hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku.
“Nëse afati 15-ditor për thirrjen e seancës shfrytëzohet deri në fund, atëherë data më e mundshme për mbajtjen e seancës është 19 nëntori 2025,” tha Bugaqku për Gazeta Blic, duke vlerësuar se mundësitë që Konjufca të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare janë shumë të vogla.
Pas tërheqjes së Albin Kurtit më 4 nëntor, presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar Glauk Konjufcën si kandidat për të formuar Qeverinë e re. Ajo ka theksuar se vendimi është marrë në përputhje me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe me bindjen se Lëvizja Vetëvendosje mund të sigurojë 61 votat e domosdoshme për formimin e kabinetit qeverisës.
Megjithatë, aktualisht raportet ndërmjet partive parlamentare tregojnë se mbështetja e Konjufcës në Kuvend mbetet e pasigurt, duke e bërë procesin e formimit të qeverisë të vështirë dhe me shumë të panjohura.

