Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sonte në orën 19:00 për seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Sipas burimeve brenda Kuvendit, kutitë e votimit tashmë janë përgatitur dhe do të dërgohen në sallën plenare para nisjes së procesit, duke sinjalizuar se procedurat pritet të zhvillohen sipas rregullores dhe afateve kushtetuese.
Zgjedhja e presidentit bëhet me votim të fshehtë. Në dy raundet e para kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë e votave. Në rast se procesi dështon edhe pas raundit të tretë, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Seanca e sontme vjen pas takimeve dhe konsultimeve intensive mes kryeministrit Albin Kurti dhe liderëve të partive opozitare, në përpjekje për të siguruar mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
Mbetet të shihet nëse sonte do të arrihet zgjedhja e kreut të ri të shtetit apo nëse procesi do të vazhdojë me raunde të tjera votimi.

