SHBA dhe BE kanë rënë dakord për një marrëveshje tregtare, ka njoftuar Donald Trump.
Njoftimi u bë ndërsa presidenti amerikan u takua me shefen e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një nga resortet e tij të golfit në Skoci.
Trump tha se marrëveshja me BE-në ishte “marrëveshja më e madhe e bërë ndonjëherë” dhe do të jetë “e shkëlqyer për veturat”, shkruan skynews.
Ai tha se BE do të fitojë 600 miliardë dollarë investime amerikane, do të blejë 150 miliardë dollarë energji amerikane dhe do të blejë pajisje ushtarake amerikane.
Sipas Trumpit, pika kryesore e pengesës ishte “drejtësia”, duke përmendur pengesat për eksportet amerikane të veturave dhe bujqësisë.
Ai hyri në bisedime duke kërkuar tregti më të drejtë me BE-në me 27 anëtarë dhe duke kërcënuar me tarifa të larta për ta arritur këtë, ndërsa këmbënguli se SHBA nuk do të zbresë nën 15% të taksave të importit.
Për muaj të tërë, Trump ka kërcënuar pjesën më të madhe të botës me tarifa të larta me shpresën e tkurrjes së deficiteve të mëdha tregtare të SHBA-së me shumë partnerë kryesorë tregtarë, përfshirë BE-në.
Në rast se nuk do të kishte një marrëveshje dhe SHBA do të kishte vendosur tarifa prej 30% që nga 1 gushti, BE-ja kishte përgatitur kundër-tarifa për 93 miliardë euro mallra amerikane.
Ndryshe, përpara takimit të tyre, von der Leyen e përshkroi Trumpin si një “negociator të vështirë”. /Telegrafi/