Një grup studiuesish nga Britania ka zhvilluar sensorë të vegjël me bazë diamanti, të cilët mund të ndihmojnë mjekët të identifikojnë nëse kanceri i gjirit është përhapur në nyjet limfatike.
Kur kanceri përhapet, zakonisht stacioni i parë janë nyjet limfatike pranë tumorit. Aktualisht, mjekët përdorin ngjyrues fluorescent ose gjurmues radioaktivë për ta zbuluar këtë proces.
Por këto metoda kanë kufizime: disa pacientë mund të kenë alergji ndaj ngjyruesve, ndërsa trajtimi i materialeve radioaktive kërkon pajisje të posaçme që nuk gjenden në çdo spital.
Sensorët e rinj me diamante funksionojnë ndryshe. Para ose gjatë operacionit, mjekët mund të injektojnë një lëng gjurmues magnetik në tumor, shkruan Euronews.
Ky lëng ndjek rrugën e qelizave kancerogjene drejt nyjeve limfatike. Me ndihmën e sensorit të ri, që ka në majë një diamant të vogël, gjurmuesi magnetik bëhet i dukshëm.
Sekreti qëndron te të ashtuquajturat “qendra të zbrazëta të azotit” në diamant, të cilat janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj fushave magnetike.
Përveç kësaj, ato i japin diamantit një ngjyrë të veçantë rozë. Ekipi i udhëhequr nga profesori Gavin Morley nga Universiteti i Warwick arriti ta zvogëlojë majën e sensorit deri në 10 milimetra, duke e bërë të përshtatshëm për përdorim gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.
Rezultatet e para janë publikuar në revistën Physical Review Applied. Studiuesit theksojnë se nuk kanë marrë financime nga kompania që prodhon gjurmuesin magnetik të përdorur në testime.
Kirurgu britanik i kancerit të gjirit, Dr. Stuart Robertson, tha se sensorët magnetikë tashmë po përdoren në disa spitale, por ky zhvillim i ri mund të ndihmojë “ta optimizojë teknologjinë edhe më tej”.
Kjo qasje e re shihet si një hap premtues drejt metodave më të sigurta dhe më pak invazive për identifikimin e përhapjes së kancerit të gjirit.