Më 13 nëntor në Romë do të zhvillohet mbledhja e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Italisë, ku kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja Giorgia Meloni do të diskutojnë forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Takimi vjen pas dekadash bashkëpunimi mes dy vendeve dhe synon të përqendrohet në sektorët kryesorë: mbrojtjen dhe sigurinë, energjinë, migracionin, mbrojtjen civile, shëndetësinë, mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor.
Në fushën e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji, ndërsa do të ndërtohet infrastrukturë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve në Shqipëri. Në sektorin e energjisë, po punohet për projekte të përbashkëta për energji të rinovueshme dhe lidhje nëndetëse me Italinë.
Bashkëpunimi për migracionin përfshin krijimin e një grupi pune për luftën kundër migracionit të parregullt dhe forcimin e patrullimit detar shqiptar. Ndërkohë, në shëndetësi do të përqendrohen tek kujdesi për nënën dhe foshnjën, me një departament neonatologjik në Spitalin Publik Gliozheni në Tiranë.
Takimi synon gjithashtu të forcojë marrëdhëniet ekonomike dhe investimet dypalëshe, përfshirë krijimin e një qendre panairesh tregtare “ExpoAlbania” dhe bashkëpunimin për industrinë e peshkimit.
Italia mbështet pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe e konsideron këtë takim si një mundësi për të avancuar bashkëpunimin strategjik në Ballkan dhe Mesdhe./Qendra.INFO

