Tiranë, 6 tetor 2025 – Komisioni Evropian ka konfirmuar zyrtarisht për Albanian Post se Shqipëria mund të përfshihet në fondin e përbashkët të mbrojtjes së Bashkimit Evropian, të njohur si SAFE (Security Action for Europe), një nga iniciativat më të rëndësishme të BE-së në fushën e sigurisë.
Në deklaratën e tij, ekzekutivi evropian thekson se subjektet me bazë në Shqipëri tashmë mund të japin kontribute të drejtpërdrejta deri në një kufi të caktuar.
“Subjektet me bazë në Shqipëri mund të ofrojnë menjëherë deri në 35 për qind të vlerës së një produkti mbrojtës”, thuhet në përgjigjen e Komisionit për Albanian Post.
Sipas BE-së, fondi SAFE hap mundësi të reja që më parë nuk kanë ekzistuar për vendet jashtë BE-së, duke përfshirë:
-
pjesëmarrjen në prokurime të përbashkëta të mbrojtjes me shtetet anëtare;
-
pranueshmërinë e aktorëve shqiptarë të kontrolluar dhe të bazuar në Shqipëri për të marrë pjesë në tenderët e mbështetur nga SAFE, nën kushte të veçanta që lidhen me marrëveshjet e sigurisë dhe kontributet buxhetore.
Në deklaratë sqarohet se për të rritur pjesëmarrjen përtej kufirit 35 për qind, kërkohet Partneriteti për Siguri dhe Mbrojtje, i nënshkruar nga Shqipëria me BE-në në nëntor 2024, si dhe një marrëveshje bashkëpunimi pasuese.
Rama shpall ambicien për SAFE në Bruksel
Në fund të shtatorit, nga selia e NATO-s në Bruksel, kryeministri Edi Rama shpalli publikisht ambicien e qeverisë shqiptare për të hyrë në këtë program strategjik të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së.
“Jemi këtu që të diskutojmë se si mund të kemi qasje në programin SAFE të Bashkimit Evropian, i cili mund të jetë i hapur edhe për vendet e NATO-s në Evropë,” – deklaroi Rama pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Program prej 150 miliardë eurosh për riarmatosjen e Evropës
Fondi SAFE është pjesë e një programi kredie prej 150 miliardë eurosh, miratuar nga vendet anëtare të BE-së në maj 2025, për të ndihmuar në riarmatosjen përballë kërcënimeve nga Rusia.
Skema parashikon që kreditë të disbursohen deri në fund të vitit 2030 dhe të shlyhen përgjatë 45 viteve.
Shtetet anëtare duhet të dorëzojnë Planet Kombëtare të Investimeve në Mbrojtje deri më 30 nëntor 2025.
Shqipëria, drejt një roli të ri në industrinë e mbrojtjes
Burime të Albanian Post bëjnë me dije se Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë po e sheh marrëveshjen e nënshkruar me Kroacinë dhe Kosovën si një “çengel” për përfshirje të plotë në SAFE.
Marrëveshja përfshin bashkëpunim për industrinë e mbrojtjes, zhvillimin e zgjidhjeve të përbashkëta teknologjike, si dhe nxitjen e investimeve në dronë dhe municione – fusha që BE i ka përfshirë në prioritetet e saj të reja.
Zyrtarë evropianë kanë sqaruar gjithashtu se vendet që kanë partneritete sigurie me BE-në – përfshirë Shqipërinë – mund të marrin pjesë në prokurimet e përbashkëta dhe të negociojnë marrëveshje specifike për pjesëmarrjen e industrive të tyre kombëtare.
Një mundësi e re për industrinë shqiptare
Rijetëzimi i industrisë së mbrojtjes shqiptare, që përfshin prodhimin e municioneve dhe dronëve, mund ta kthejë Shqipërinë në një partner të besueshëm të zinxhirit të mbrojtjes evropiane, duke tërhequr investime të reja nga kompani të njohura të sektorit. /Qendra.INFO