Tiranë, 3 tetor 2025 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për një protestë gjithëkombëtare më 17 tetor në ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë. Sipas tij, protesta është në mbrojtje të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me gjyq në Hagë.
Në një reagim publik, Krasniqi e përshkroi tubimin si një “zë të përbashkët për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën historike të popullit shqiptar”. Ai ftoi shqiptarët kudo që ndodhen – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë dhe diasporë – të bashkohen për të treguar unitet dhe përkrahje për kauzën.
“Më 17 tetor, ora 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ të Tiranës, protestë gjithëkombëtare në mbrojtje të çlirimtarëve tanë që po mbahen në Hagë. Le të jetë kjo protestë thirrja e të gjithë shqiptarëve për të mbrojtur historinë, dinjitetin dhe luftën tonë për liri,” deklaroi Krasniqi.
Ai theksoi se ky është momenti për bashkim:
“Nga Tirana në Prishtinë, nga Shkupi në Ulqin, nga Presheva deri në diasporë – një zë, një qëndrim, një kauzë: drejtësi për çlirimtarët tanë.”
Protesta është shtrirë si thirrje gjithëkombëtare, dhe organizatorët shpresojnë që tërheqja e saj do të sjellë një mobilizim masiv të shqiptarëve në të gjitha trojet dhe komunitetet shqiptare jashtë vendit.

