04 Tetor 2025 – Kandidati për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, është pritur me pjesëmarrje të madhe nga qytetarët në tubimin zgjedhor të mbajtur në Magurë dhe fshatrat përreth, përfshirë Qylagë, Blinajë, Leletiq, Medvec, Vrellë e Mirenë.
Në fjalën e tij para qytetarëve, Buja u shpreh se pjesëmarrja masive dëshmon besimin e banorëve në vizionin dhe zotimet e tij për zhvillimin e komunës.
“Përtej çdo parashikimi, sonte Magura, Qylaga, Blinaja, Leletiqi, Medveci, Vrella e Mirena na mirëpritën me pjesëmarrje masive në tubimin tonë zgjedhor. Kjo mbështetje e fuqishme dëshmon qartë se banorët e kësaj zone e dinë: premtimi im është zotim! Uji i pijshëm, arsimi, shëndetësia, infrastruktura, turizmi dhe bujqësia do të jenë më mirë për këto fshatra. Fitorja është e jona!”, tha Buja.
Tubimi në Magurë është pjesë e serisë së takimeve elektorale që Buja po zhvillon në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale në Lipjan.