“Presidenca qendrore dhe kryetarët e degëve vendosën që të kalojmë në opozitë”, kështu deklaroi Arben Taravari pas mbledhjes së kryesisë së ASH-së të mbajtur më 12 maj, me çka edhe zyrtarisht e konfirmoi se do të del nga qeveria. Arsyet që e dërguan atë në këtë vendim, Taravari tha se janë dëshpërimi i qytetarëve shqiptarë nga mos-realizimi i ndryshimeve të premtuara si dhe mosbesimi mes partnerëve të koalicionit.
“Nuk i realizuam ndryshimet që i kishim premtuar dhe qytetarët me të drejtë na kritikojnë për këtë. Prandaj vendosëm të kthehemi tek qytetari dhe t’i kërkojmë sërish besimin në zgjedhjet lokale të tetorit. Sot konstatuam se, nëse brenda Qeverisë ka mungesë besimi, atëherë duhet të largohemi prej saj”, theksoi Taravari pas mbledhjes së partisë.
Ai theksoi se pakënaqësia mes elektoratit shqiptar është e madhe, sidomos për shkak të përdorimit të “Balancuesit” dhe ngecjeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
KASAMI: MINISTRIA E SHËNDETËSISË MUND T’I TAKOJË VMRO-SË
E me largimin e Taravarit nga qeveria, partnerët shqiptarë të koalicionit po mendojnë për ndarjen e resorëve që i kanë takuar deri tani ASH-së së Arben Taravarit. Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami deklaroi se në qeveri po diskutohet se çfarë kombinimesh duhen bërë në lidhje me pozicionet ministrore që do të lirohen nga largimi i ASH-së dhe Arben Taravarit në opozitë. Ai në një intervistë për “360 Gradë” tha se nuk e përjashton mundësinë që “VLEN” t’ia “jep” Ministrinë e Shëndetësisë VMRO-së, dhe në këmbim të marrë një ministri tjetër. “Ne negociuam me Kryeministrin, pra me kryetarin e VMRO-së, si VLEN dhe marrëveshja është midis VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së për të formuar Qeverinë. Në takimet e fundit me Kryeministrin, është konfirmuar edhe një herë se ne mbetemi të përkushtuar ndaj të njëjtave angazhime. Pra, marrëveshja mbetet midis VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it dhe pozicionet e VLEN-it mbeten të sigurta”, tha Kasami.
Kur u pyet nëse ky është një njoftim për një ristrukturim të qeverisë, Kasami tha se është e mundur, por jo në një shkallë më të gjerë. Madje, Kasami pohon se së shpejti, ndoshta që këtë javë, numri i deputetëve që do të transferohen në shumicën qeverisëse do të rritet. I pyetur nëse këta deputetë vijnë nga struktura e Arben Taravarit apo janë pjesë e “Frontit Evropian”, ai thotë – nga të dyja kampet.
MEXHITI: TARAVARI NUK E LA QEVERINË, POR E TRADHËTOI ATË
Ndërkohë zv/kryeministri, njëherësh një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, duke komentuar largimin e Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravari, nga koalicioni qeveritar, nuk kurseu kritikat dhe akuzat ndaj këtij të fundit. Mexhiti shkroi se Arben Taravari nuk e ka braktisur Qeverinë, por e ka tradhtuar atë dhe e cilësoi largimin e tij si zhgënjim për të gjithë shqiptarët që votuan për ndryshim. “Ti nuk solle ndryshim. Ti nuk po kthehesh tek populli. Ti po kthehesh tek lista e zezë. Ti nuk po e lë Qeverinë. Ti e tradhtove Qeverinë”, shkroi Mexhiti në profilin e tij në Facebook.
Ai shtoi se koalicioni VLEN vazhdon rrugën e ndryshimeve dhe i ftoi të gjithë aktivistët, simpatizantët dhe votuesit që ndihen të mashtruar dhe të lënë pa drejtim, që t’i bashkohen.
“Ti nuk përfaqëson frymën e anëtarësisë në ASH. E ke mashtruar anëtarësinë e ASH. Ti nuk je heroi i kësaj historie. Ti je dëshpërimi i çdo shqiptari – intelektual apo i paarsimuar, punëtor apo biznesmen, burrë apo grua – ti je zhgënjimi i çdo aktivisti dhe simpatizanti, i çdo shqiptari” shton Mexhiti në postimin e tij.
LSDM: PARTNERËT PO BRAKTISIN MICKOSKIN
Dalja e Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria është dëshmi se si qytetarët ashtu edhe partitë politike që ende janë pjesë e koalicionit qeveritar po e kuptojnë se Mickoski po e çon shtetin drejt greminës, vlerësojnë nga LSDM. “Arben Taravari njoftoi dje se organet dhe trupat e Aleancës për Shqiptarët kanë vendosur njëzëri të dalin nga Qeveria dhe të kthehen pranë popullit. Kjo është një konfirmim se ish-partnerët e Mickoskit po evakuohen pas publikimit të një serie skandalesh për pushtetin. Për herë të parë në 35 vjet pavarësi dhe pluralizëm ndodh që brenda një kohe kaq të shkurtër, partneri më i madh i koalicionit të largohet nga Qeveria, dhe kjo ndodh në qeverinë e Hristijan Mickoskit”, theksojnë nga LSDM.
Social-demokratët vlerësojnë se Mickoski gjatë kësaj periudhe që është kryeministër nuk pati rezultate në asnjë fushë, ndërsa sipas LSDM-së, nuk kanë fund as skandalet në komunat që i udhëheqin kryetarët e komunave të Mickoskit, të cilët kanë prioritet vetëm manipulimin e tenderëve, ndërsa qytetarët janë lënë të përballen vetë me kaosin.
“Brenda pak muajsh, Mickoski arriti të kombinojë rezultate katastrofale ekonomike me udhëtime të pakuptimta jashtë vendit, megjithëse shteti është plotësisht i izoluar, madje edhe nga partnerët tanë të NATO-s dhe BE-së, me të cilët kishim një bashkëpunim të shkëlqyer për dekada.”, theksojnë nga LSDM, duke shtuar se në fund, Mickoski do të mbetet i vetmuar, i rrethuar vetëm nga klientelistët e tij dhe kriminelët ambiciozë. Përndryshe, kujtojmë se me daljen e subjektit të Taravarit, shumica parlamentare do të ngelet me nëntë deputetë shqiptarë, që përbën një numër pakicë, për dallim të numrit të përgjithshëm të deputetëve shqiptarë në Parlament.
NUK DO TË KETË RIKONSTRUIM, DO TË KETË VETËM NDËRRIM TË MINISTRAVE
Nuk do të ketë rikonstruim të Qeverisë, por vetëm ndërrim të ministrave, informojnë për MIA-n nga Qeveria, pas deklaratës së mbrëmshme të Arben Taravarit se ASH-ja lëshon Qeverinë. Aleanca për Shqiptarët ka dy poste ministrore – atë për Shëndetësi e cila drejtohet nga Arben Taravari dhe postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për qeverisje të mirë të cilin aktualisht e ushtron Arben Fetai. Në Parlament kjo partia ka pesë deputetë. Për momentin, ende nuk dihet se si do të zhvillohet ndërrimi i ministrave, nëse dhe cilët nga ASH do të japin dorëheqje ose Qeveria do t’i shkarkojë edhe funksionarët e tjerë nga krahu i ASH-së. Gjithashtu është e pasigurt se sa nga pesë deputetët e ASH-së do të qëndrojnë me Taravarin.
Nga Qeveria për MIA-n nuk konfirmojnë informacionet se mund të ketë ndërrim të resoreve midis VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, siç paralajmëroi mbrëmë një nga liderët e koalicionit “VLEN”, Bilall Kasami. Lidhur me numrin e deputetëve, kreu i Besës tha se ndoshta që këtë javë, do të rritet numri i deputetëve që do të migrojnë në shumicën qeveritare.
“Mund të garantoj se jemi tashmë në negociata serioze me disa deputetë si nga opozita shqiptare ashtu dhe të komuniteteve të tjera që janë pjesë e ‘Frontit Evropian’ aktual’”, ka thënë Kasami. Pas deklaratës së mbrëmshme të Taravarit se ASH kalon në opozitë, kryeministri Hristijan Mickoski, sipas informacioneve të MIA-s nuk do të takohet me të. Partia në pushtet VMRO-DPMNE, kryetar i së cilës është kryeministri Mickoski sonte do të mbajë mbledhje të Komitetit ekzekutiv të partisë. (koha.mk)