Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit, do të vazhdojë kur të krijohen kushtet.
Ajo ka thënë se po bën përpjekje që të arrihet konsensus mes partive për këtë çështje.
Sipas Haxhiut, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.
“Mendoj që orientimi jonë duhet të jetë në dy drejtime, së pari që t’i adresojmë të gjitha përgjegjësitë që kemi në raport me agjendën legjislative por edhe çështje të tjera, dhe e dyta në drejtim të përpjekjes për arritje të konsensusit për ta zgjedhur presidentin apo presidenten e vendit. Në të dyja drejtimet natyrisht që roli i Kuvendit është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe si kryetare e kuvendit po përpiqem maksimalisht që t’i adresojmë përgjegjësitë që ne i kemi”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo tha se ftesat nga Kryeministri dhe Kryetari i VV’së, Albin Kurti, do të vazhdojnë, por se nevojitet edhe vullneti i palëve tjera.
“Prandaj në këtë drejtim i ftoj të gjitha subjektet politike që të bëjnë përpjekje maksimale. Kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri Kurti ka kërkuar takime me subjektet, ju e dini sepse kjo është bërë publike. Natyrisht që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër”, shtoi Haxhiu.
Kryeparlamentarja theksoi se ndonëse VV i ka 66 vota, ky numër është i pamjaftueshëm për të zgjedhur Presidentin.
“Grupi parlamentar i Vetëvendosjes më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy raundet e para. Në këtë pikë mendoj që është shumë i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz sepse mendoj që pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja sepse zgjedhjet sapo i kemi përfunduar, qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, citohet të ketë thënë Haxhiu para mediave ,sipas EO.
Kreu i PDK’së, Bedri Hamza, tha dje se nuk kanë pranuar ftesë për takim nga Kurti, pas publikimit të Aktgjykimit të Kushtetueses.
Kushtetuesja, me aktgjykimin e nxjerrë të martën, dha afat 34 ditor për zgjedhjen e Presidentit.

