Fakulteti i Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë është përfshirë në një situatë shqetësuese ligjore dhe akademike. Sipas vendimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), programi Bachelor “Teologji Islame” ka humbur akreditimin në vitin 2024. Arsyeja: mungesa e stafit akademik të kualifikuar, pensionimi i disa prej tyre dhe mos-publikimi i punëve shkencore në platforma ndërkombëtare si Scopus dhe Web of Science, sipas kërkesës së FSI-së me prot: 317/25.
https://akreditimi.rks-gov.net/wp-content/uploads/2025728-Vendim-KShC-FSI.pdf
Në mbledhjen e 138-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë më 16.06.2025, AKA refuzoi kërkesën e FSI-së dhe mbajti në fuqi vendimin Ref: 2406/25, duke konstatuar se njëri nga bartësit e programit nuk ka fushë studimore të përshtatshme, tjetri mungon nostrifikimi, ndërsa pjesa tjetër nuk plotëson kriteret për publikime shkencore.
Sipas Ligjit Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë dhe Manualit të AKA për Vlerësimin e Jashtëm, një program master mund të akreditohet vetëm nëse ekziston një program bachelor i akredituar në të njëjtën fushë. Megjithatë, FSI po shpall konkursa për regjistrim studentësh në nivelin BA dhe MA për vitin akademik 2025-2026, duke injoruar refuzimin e akreditimit:
BA: Konkursi BA
MA: Konkursi MA
Konkurs për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve master për vitin akademik 2025/2026
Rreziqet për studentët dhe institucionin: Regjistrimi në një program të paakredituar rrezikon studentët, pasi diploma nuk njihet zyrtarisht, duke i penguar për punësim ose studime të mëtejshme. Për institucionin, rrezikohen pezullimi i programit, ndalimi i regjistrimeve, humbja e licencës dhe përgjegjësi civile, administrative apo penale për stafin drejtues. AKA, Ministria e Arsimit dhe Inspektorati i Arsimit kanë kompetencë të ndërmarrin masa, por deri tani nuk ka asnjë reagim publik nga institucionet për këtë situatë.
Pyetja që lind: Çfarë do të jetë reagimi i institucioneve për regjistrimin e studentëve në program të paakredituar? A do të pezullohet menjëherë programi dhe regjistrimet, dhe a do të ndëshkohen drejtuesit e FSI-së?
Qendra.info ka dërguar pyetje për këtë problematikë te FSI dhe te AKA, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
Qendra.Info.