Hetimet për keqpërdorim dhe manipulim të votave gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura në fillim të vitit 2026 në Prizren kanë rezultuar me ndalimin e 109 personave, shumica prej tyre të angazhuar në administrimin zgjedhor.
Me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të datës 19 janar 2026, janë ndërprerë mandatet e përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Zgjedhor Komunal (KZK) të Prizrenit, pas raporteve për parregullsi serioze në procesin zgjedhor, veçanërisht gjatë numërimit të votave.
Në mesin e personave të ndaluar për dyshime për keqpërdorim të votave janë edhe Rasim Dzaferi dhe Edin Rahmani, të cilët kanë ushtruar funksionin e komisionerëve zgjedhorë në Prizren dhe ndaj të cilëve po zhvillohen procedura hetimore nga organet e drejtësisë.
Ndërkohë, në të njëjtën strukturë zgjedhore ka qenë i angazhuar edhe Safet Redžepi, anëtar i Komisionit Zgjedhor Komunal në Prizren dhe i punësuar në kuadër të KQZ-së, i cili përfaqëson Partinë e Re Demokratike (PRD), subjekt politik i komunitetit boshnjak në Kosovë.
Safet Redžepi është bashkëshorti i Emilija Rexhepit, kryetare e PRD-së dhe ish-zëvendëskryeministre e Kosovës. Edhe pse nuk është raportuar se ai është në mesin e personave të ndaluar, prania e tij në administrimin zgjedhor në Prizren ka nxitur diskutim publik mbi konfliktin e mundshëm të interesit dhe ndikimin politik, në një kohë kur KZK-ja e kësaj komune po hetohet për një nga skandalet më serioze zgjedhore të viteve të fundit.
Deri më tani, nuk ka vendim zyrtar që ta lidh Safet Redžepin me veprimet penale për të cilat po hetohen komisionerët e ndaluar, megjithatë rasti ka rihapur debatin mbi nevojën për ndarje të qartë mes funksioneve politike dhe administrimit zgjedhor, si dhe për rritjen e transparencës në emërime.
Nga KQZ dhe organet e drejtësisë është bërë e ditur se hetimet janë në vazhdim dhe se çdo përgjegjësi individuale do të trajtohet në përputhje me ligjin, ndërsa rasti i Prizrenit po konsiderohet si një provë serioze për integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë./Qendra.INFO

