Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Sllobodan Millosheviçi dhe ana e errët e Serbisë

Nga Gordana Igric

Enesa Veseli by Enesa Veseli
29/09/2025
in Lajme
0
Sllobodan Millosheviçi dhe ana e errët e Serbisë
0
SHARES
6
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Prej vitesh unë kam vuajtur nga lodhja prej Millosheviçit. Që nga momenti kur e pashë figurën e tij patetike, të përkulur lehtë përpara, të mundur, duke ecur nëpër oborrin e burgut në Hagë, menjëherë pas arrestimit të tij në vitin 2001.

Tani nuk ndiej asgjë për atë njeri, qoftë i gjallë apo i vdekur, dhe më intereson akoma më pak se ku është varrosur trupi i tij.

Disa mund ta shohin këtë si paradoksale, duke qenë se kam qenë dëshmitare dhe kam raportuar për aq shumë vuajtje të tmerrshme që ai nxiti duke dërguar ushtrinë, policinë dhe paraushtarakët serbë në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë gjatë viteve ’90. Edhe më shumë, meqë regjimi i Millosheviçit më detyroi në fund mua dhe dy fëmijët e mi të largoheshim nga Serbia për të shmangur arrestimin në pranverën e vitit 1999.

Edhe vajza ime, 14 vjeçe, e cila e fajëson atë për shkuljen nga rrënjët e jetës së saj, është më e zemëruar për vdekjen e tij sesa unë. “Si mundet ai thjesht të vdesë në burg, pa ndonjë ndëshkim të vërtetë kur kaq shumë njerëz u vranë?”, pyet ajo.

Nuk është se nuk e dëgjoj zërin e saj, apo ata të mijëra viktimave që ndihen të mashtruara nga vdekja e tij, të zhgënjyer që akuzat ndaj tij tani nuk do të mund të konfirmohen nga gjykata për krime lufte në Hagë.

Unë i dëgjoj këto zëra qartë e fort. Ajo që refuzoj të bëj është t’i jap rëndësi ekskluzive një njeriu që ishte thjesht ekzekutori i forcave pas tij – forcave të errëta e të rrezikshme të nacionalizmit serb.

Duhet kujtuar se Millosheviçi nuk ishte diktator. Edhe nëse në fillim nuk u zgjodh në mënyrë demokratike, ai u mbështet nga shumica në Serbi dhe nuk mund të mbahet vetëm ai përgjegjës për krimet që u kryen.

Ishin masat që e fuqizuan atë, që e larguan kur ai dështoi të pushtonte territore dhe që gjetën heronj të rinj në radhët e Partisë Radikale Ultra-Nacionaliste Serbe dhe në pjesë të qeverisë aktuale.

Pas lotëve dhe vajtimit të tyre qëndron një ndjenjë e thellë zhgënjimi që ata nuk mund ta imponojnë më me forcë ksenofobinë e tyre luftënxitëse mbi shoqërinë, apo të nxisin idenë e Serbisë së Madhe te fqinjët e tyre duke vrarë, djegur e plaçkitur.

Kur kthehem pas në fillim të viteve ’90, dhe në veçanti në vitin 1991, kujtoj parehatinë time. Jugosllavia ende ekzistonte, por ndarjet e mprehta dhe të dhimbshme tashmë ishin hapur në shoqërinë serbe, duke përplasur familje dhe miq që mbështesnin Millosheviçin kundër atyre që nuk e mbështesnin atë. Luftërat ende nuk kishin filluar dhe askush nuk kishte vdekur, por një luftë e heshtur tashmë po zhvillohej në Serbi.

Edhe restorantet ishin ndarë politikisht. Disa u bënë “tanët” dhe të tjerë “të tyre”. Media të ndryshme gjetën gazetarët dhe besimtarët e tyre, megjithëse vetëm “të tyret” kishin para, pushtet, shtypshkronja dhe frekuenca.

Masat ishin pa dyshim “të tyret”. Punëtorët dhe fshatarët dërgoheshin me autobusë me portretin e Millosheviçit përpara, drejt mitingjeve gjigante. Demonstratat e tyre pushtonin ekranet televizive, teksa këndonin “Slobo, mi te volimo”, që do të thotë “Slobo, të duam”.

Shumë serbë, të cilët deri atëherë nuk do të kishin ditur të bënin dallimin mes një kishe katolike dhe një kishe ortodokse, papritmas u bënë thellësisht fetarë. Fëmijë e pleq rendnin të pagëzoheshin, pothuajse si një deklaratë politike. Kisha Ortodokse Serbe, gjithmonë një qendër nacionalizmi, përjetoi një ringjallje dramatike, duke e kremtuar Millosheviçin si shpëtimtarin e Serbisë.

Më 9 mars 1991, iu bashkova demonstratës opozitare të rrëmujshme në Beograd kundër Millosheviçit. Teksa një protestë studentore u kthye në një rebelim të gjerë, ishte hera e parë – dhe ndoshta e fundit – që një demonstratë e fuqishme kundër luftës do të trondiste Serbinë. Protestuesit thyen xhama, përmbysën makina dhe u përleshën me policinë, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe me pompa uji.

Atë ditë ende dukej e mundur që mund të shmangnim kalimin drejt luftës dhe t’i mposhtnim “ata” nga brenda.

Por pastaj tanket e Ushtrisë Jugosllave dolën në rrugë për të shpërndarë turmat. Pas derës së mbyllur të apartamentit tim dëgjoja gjëmimin e automjeteve të blinduara, ndërsa luftoja me zemërimin dhe pafuqinë time.

Atë mars, Millosheviçi shpalli se Jugosllavia kishte vdekur dhe muaj më vonë tanket po udhëtonin nga Serbia drejt qytetit të Vukovarit, në Kroaci, të cilin do ta shndërronin në hi.

Gjatë verës, ndërsa radhë të gjata automjetesh të blinduara e tankesh kalonin përmes qyteteve të Vojvodinës drejt Kroacisë, unë shihja fytyrat euforike dhe të buzëqeshura në televizor. Masat e njerëzve mbushnin rrugët, duartrokisnin dhe hidhnin lule.

Më pas, kur një bombë u hodh në shtëpinë e një dentisti vendas, kroat, në qytetin e Vojvodinës ku unë u linda, dëgjova njerëzit të thoshin: “E meritonte, po përgatitej fshehurazi që forcat kroate të pushtonin qytetin!” – një burrë 75-vjeçar.

Kur kroatët e fshatit Hrtkovci, në Vojvodinë, u dëbuan të gjithë përnjëherë në një ditë të vetme, pak fjalë proteste mund të dëgjoheshin.

Në prill 1992, një i njohuri im serb nga Zvorniku, në lindje të Bosnjës, arriti në Beograd, pasi kishte hequr uniformën ushtarake dhe kishte hedhur armën që i ishte dhënë kur ishte mobilizuar. Natën dhe fshehurazi, kishte kaluar lumin Drina dhe kishte dezertuar, në vend që të merrte pjesë në spastrimin etnik të fqinjëve të tij boshnjakë.

Detyra e tij kryesore, si ushtar, më tha, ishte të qëllonte mbi trupat e pajetë të boshnjakëve, të cilët ishin hedhur në një liqen dhe kishin qëndruar duke pluskuar për ditë të tëra, si tullumbace. Duke fundosur kufomat, ai do të fshihte provat e një krimi.

Në fillim, i tronditur, ai u përpoq të shpjegonte në Serbi se çfarë kishte ndodhur, por shpejt nacionalistët radikalë vendas e shënjuan si dezertor dhe tradhtar. Më pak radikalët thjesht psherëtinin: “Çfarë t’i bësh? Është luftë.”

Kështu ai pushoi së foluri. Kishte lënë prindërit e moshuar në Zvornik, duke fshehur një çift të ri boshnjakësh në apartamentin e tyre. Pastaj dëgjoi se dikush e kishte denoncuar këtë fakt te paraushtarakët dhe ata kishin ardhur për të vrarë çiftin e ri.

Më pas, intervistova gra nga qyteti i Focës, në Bosnjën lindore. Forcat serbe i kishin mbajtur gjatë verës së vitit 1992 në një bordello të improvizuar, ku ishin përdhunuar në mënyrë sistematike.

Kam shkruar dhe kam folur për këtë në Serbi, kudo që kam mundur, me këdo që donte të dëgjonte. Shumica nuk donin. Shoferët e taksive, parukierët dhe të tjerët thoshin vetëm: “Hë pra tani, serbët s’do të bënin kurrë gjëra të tilla.”

Pastaj erdhi viti 1995, kur serbët jashtë Serbisë paguan çmimin. Nën presionin e komunitetit ndërkombëtar, Millosheviçi i ktheu shpinën serbëve të Bosnjës dhe Kroacisë dhe refugjatët nisën të dyndeshin në Serbi. Elita nacionaliste dhe Kisha u detyruan të përballeshin me faktin se ekzekutori i tyre nuk e kishte përmbushur ëndrrën e tyre.

Shumëkush e kujton dimrin e vitit 1996 dhe tre muajt e protestave masive paqësore kundër mënyrës se si Millosheviçi kishte vjedhur votat në zgjedhjet lokale. Atëherë kuptova se kishte lindur një fenomen hibrid. Forcat vërtet demokratike tani ishin bashkuar me të tjerë që ishin krejt ndryshe – nacionalistë të zhgënjyer, klerikë ortodoksë të zhgënjyer, elitën nacionaliste të Serbisë të zhgënjyer.

Vetëm një luftë e re mund të rikthente përkohësisht pozicionin e Zotit të Serbisë. Dhe kështu erdhi Kosova, në vitin 1998. Në fund të shkurtit, në Qirez dhe Likoshan, në rajonin e Drenicës, ndodhi vrasja e parë masive e civilëve.

Në dyshemenë e një shtëpie në Qirez pashë trupin e një gruaje që ishte tetë muajshe shtatzënë. Në shtëpi të tjera shtriheshin viktima të tjera. Po atë ditë, në Likoshanin fqinj, çdo burrë i familjes Ahmeti që ndodhej në shtëpi – të nëntë – u ekzekutua. Vetëm një vëlla mbijetoi, pasi atë ditë kishte qenë larg, duke vizituar një qytet fqinj. Nëntë nëna, nëntë gra dhe shumë fëmijë mbetën pa asgjë për të jetuar.

Artikullin e shkrova në Serbi për një gazetë tashmë të margjinalizuar. Një grusht simpatizantësh e lexuan dhe e kuptuan. Pjesa tjetër komentoi: “Shqiptarët – të gjithë janë terroristë!”

Atë verë, udhëtova me makinë nëpër Kosovë, me policinë dhe ushtrinë në veprim të plotë. Në mëngjeset e hershme, nga kodrat, ushtria fillonte të bombardonte fshatrat. Kur fshatarët arratiseshin nëpër pyje, hynte policia. Fillimisht, merrnin gjithçka me vlerë nga shtëpitë e braktisura, pastaj u vinin flakën. Ata ecnin shtëpi pas shtëpie dhe fshat pas fshati, derisa dogjën të gjithë Kosovën, përveç qyteteve ku forcat serbe mbanin pushtetin.

Qindra mijëra civilë u gjendën duke ecur nëpër male, duke mbajtur në kurriz me vete të moshuarit dhe duke i varrosur ata në pyje, në rast se vdisnin.

Në një moment, një polic serb nga Kursumlija, në jug të Serbisë, më ndaloi dhe më kërkoi ta merrja në makinë për në Prishtinë. “Për hir të Zotit, pse po i digjni ato shtëpi?” e pyeta.

“Kur fillon ta bësh, s’ndalon dot më”, u përgjigj ai, “edhe pse asnjë polici në botë s’do ta bënte këtë pa urdhra.” Unë debatova, duke i thënë se kishte diçka më të rëndësishme se urdhrat. Ai zbriti nga makina, i zemëruar.

Kur flisja për atë që po ndodhte në Kosovë, disa njerëz në Serbi ofronin justifikime. “Shqiptarët nuk kthehen më pasu u djeg shtëpitë”, thoshin. “Tani do të ikin për në Shqipëri. Duhej bërë.”

Dhe vazhduan kështu më radhë, drejt Drenicës, masakrës së Reçakut në janar 1999 dhe sulmeve të NATO-s që pasuan kundër Serbisë.
Tani në Londër, më 5 tetor 2000, shikoja në televizor teksa njerëz nga e gjithë Serbia dyndeshin në Beograd, hynin dhe i vinin flakën ndërtesës së parlamentit.

Millosheviçi u rrëzua nga pushteti. Por atëherë nuk kisha më iluzione. Ajo që e prishi ekuilibrin kundër Millosheviçit nuk ishte ngritja e forcave vërtet demokratike, por radhët e mëdha të nacionalistëve të zhgënjyer.

Ai krah i errët i Serbisë tani ishte i zemëruar me Millosheviçin si humbësi në seri i luftërave dhe territoreve. Ata urrenin Millosheviçin që humbi Kosovën, jo Millosheviçin që kreu krime atje.

Që atëherë, kam ndjekur nga afër sondazhet e opinionit publik, duke u përpjekur të zbuloj sa nga ndjekësit e tij të vjetër ishin kthyer te partia më e fortë opozitare nacionaliste, Radikalët, dhe sa e kishin zbutur disi pozicionin e tyre duke u rreshtuar pas qeverisë aktuale të Vojisllav Koshtunicës, e cila luan njëkohësisht kartën pro-evropiane dhe atë të “nacionalizmit të moderuar”.

Ndërkohë, Millosheviçi është njeriu i së shkuarës dhe lot të vërtetë derdhen për të vetëm në qytetet e vogla provinciale, mes amvisave dhe pensionistëve që – çuditërisht – e identifikonin atë me komunizmin dhe Jugosllavinë.

Por demonët e vjetër nacionalistë të Serbisë janë ende aty, pa pendesë, dhe zhgënjimi i tyre rritet me çdo faturë që Serbia duhet të paguajë për gabimet e viteve ’90. Njëra është dëmshpërblimi i mundshëm i luftës ndaj Bosnjës, një tjetër është pavarësia e mundshme e Kosovës dhe Malit të Zi, dhe një tjetër ende është ekstradimi i të akuzuarit për krime lufte, Ratko Mlladiç, i cili ende shihet si hero nga shumë.

Vdekja e Millosheviçit ka vepruar vetëm si katalizator për zhgënjimet e tyre ekzistuese. Pyetja e vërtetë është se cila anë në Serbi – nacionalistët e zhgënjyer, apo demokratët e vërtetë – do të dalë në krye.

Ky artikull u botua për herë të parë më 15 mars 2006. Në kohën e publikimit të tij, Gordana Ingric ishte drejtoreshë editoriale dhe zhvillimore e BIRN dhe kryeredaktore e Balkan Insight.

Passhkrim: Pas Millosheviçit, ngrihet ngadalë një regjim i ri

Milosheviçi u rrëzua nga pushteti, u dërgua në Hagë për t’u gjykuar dhe më pas vdiq në paraburgim. Por pas vdekjes së tij, megjithëse ai tani i përkiste “të djeshmes”, ky nuk ishte fundi i ndikimit politik të regjimit të tij.

Fillimisht, situata nuk dukej e mirë për Partinë Socialiste të Serbisë pasi ajo u rrëzua nga pushteti. Në zgjedhjet e janarit 2007, partia, e udhëhequr tani nga zëdhënësi i saj i viteve 1990, Ivica Daçiç, mezi kaloi pragun për të hyrë në parlament. Vitin pasardhës, Kosova shpalli pavarësinë dhe nacionalistët u rebeluan në Beograd, por nuk mundën të bënin asgjë për të parandaluar humbjen që kishin sjellë politikat e Millosheviçit.

Megjithatë, shumë shpejt ish-miqtë e Millosheviçit ishin në rrugën e tyre drejt qeverisë. Në zgjedhjet e majit 2008, Partia Demokratike fitoi, por nuk mundi të formonte një shumicë qeverisëse e vetme. Ajo zgjodhi një koalicion me armikun e saj të përbetuar të viteve 1990, socialistët. Për të lehtësuar tronditjen e rikthimit në qeveri të partisë, sundimin autoritar të së cilës kishte punuar kaq shumë për ta rrëzuar, Partia Demokratike u shpreh se po kërkonte “pajtim” për Serbinë. Pasoja ishte normalizimi politik i socialistëve përsëri, pavarësisht bagazhit të tyre të rëndë nga vitet e Millosheviçit.

Pas vdekjes së Millosheviçit, shumë në Serbi vazhduan të mohonin krimet e kryera gjatë luftërave të viteve 1990. U mbajtën gjyqe për krime lufte dhe disa paraushtarakë madje u dënuan, por asnjë figurë e profilit të lartë nuk u gjykua. Kur bëhet fjalë për ata që u gjykuan në Hagë, Serbia në fund arrestoi dhe ekstradoi të gjithë ata që ishin në arrati (që nuk kishin vdekur ndërkohë), por me shumë shmangie dhe pas një kohe shumë të gjatë. Ratko Mlladiç, për shembull, u arrestua në Serbi dhe u ekstradua për t’u gjykuar vetëm në vitin 2011.

Forca e re që erdhi në pushtet në vitin 2012 kombinoi elementë që ishin larguar nga Partia Radikale Serbe ultranacionaliste dhe veteranët e regjimit të Millosheviçit – të mishëruar në figurën e Aleksandër Vuçiçit. Vuçiçi, i cili ishte ministër i informacionit i qeverisë serbe kur Millosheviçi ishte në pushtet, filloi të konsolidonte pushtetin në një shkallë që nuk ishte parë që nga ato vite.

Që nga viti 2012, Vuçiçi ka qenë dy herë kryeministër dhe është zgjedhur dy herë president. Socialistët janë bërë partnerët e tij besnikë të koalicionit, me Ivica Daçiçin që ka marrë një sërë rolesh në kabinet.

Qeveria e Vuçiçit ka bërë një shfaqje të shkëlqyer duke mohuar se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid, ndërsa akuzon të tjerët për persekutimin e serbëve. Ndërkohë, disa nga ata që u dënuan për krime lufte nga gjykata e Hagës janë kthyer në vend dhe janë pritur si heronj. Shumë prej tyre janë të ftuar të rregullt në stacionet televizive pro-qeveritare, pasi media besnike ka lulëzuar nën Vuçiçin, ndërsa media e pavarur ka vuajtur – ashtu siç ndodhi nën regjimin e Millosheviçit.

Në vitin 2018, duke iu drejtuar serbëve në Kosovë, Vuçiçi e përshkroi Millosheviçin si “një udhëheqës të madh serb”, megjithëse “qëllimet e tij të mira” nuk arritën të jepnin rezultate pozitive.

Related

Previous Post

Trump: “Sot është një ditë historike për paqen” — Marrëveshje me Netanyahun pranë finalizimit

Next Post

Moti sot, e martë, në Kosovë: Temperaturat deri në 20 gradë Celsius

Next Post
Moti sot, e martë, në Kosovë: Temperaturat deri në 20 gradë Celsius

Moti sot, e martë, në Kosovë: Temperaturat deri në 20 gradë Celsius

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.