Prishtinë, 22 Tetor 2025 – Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka mbërritur sot në Prishtinë, ku është pritur nga zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, në një takim pune që u fokusua në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Gjatë takimit Bislimi ka theksuar se “është thelbësore që të ecet përpara në zbatimin e marrëveshjeve të arritura” dhe ka kërkuar që çështja e personave të zhdukur me dhunë të trajtohet me urgjencë, në mënyrë që të fillojë puna e Komisionit të Përbashkët të dakorduar në dhjetor të vitit të kaluar.
Zëvendëskryeministri ka ngritur gjithashtu çështjen e bllokimit të fondeve për fermerët në Luginën e Preshevës, duke kritikuar Serbinë për refuzimin e trajtimit të kësaj teme edhe në takimin e fundit në Bruksel.
Në takim u diskutua edhe për pengesat energjetike që po shkakton Serbia me bllokimin e linjave të interkoneksionit, të cilat – sipas Bislimit – po rrisin kostot e transmisionit të energjisë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.
Bislimi përsëriti qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të ndodhë sa më parë, duke e cilësuar këtë si hap të nevojshëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe përparimin e dialogut./Qendra.INFO

