Më 14 gusht, në histori ndodhën:
1385 – Me fitoren në betejën e Alžubarotës, portugezët penguan përpjekjen e mbretit të Kastiljes, Huan I, për pushtim, duke siguruar pavarësinë e Portugalisë.
1457 – Shtypshkronja e Gutenbergut në Mainz publikoi librin e parë të shtypur me ngjyra. “Psalteri i Mainzit” u shtyp në ngjyrë të kuqe dhe të zezë.
1777 – Lindi fizikani danez Hans Kristian Ørsted, themelues i shkencës së elektromagnetizmit. Ai zbuloi efektin magnetik të rrymës elektrike dhe njësi matëse e fushës magnetike në sistemin CGS mban emrin e tij (Oe).
1784 – Në ishullin Kodiak pranë Alaskës u themelua kolonia e parë ruse. SHBA e bleu Alaskën nga Rusia në vitin 1867 për 7,2 milionë dollarë.
1867 – Në përpjekje për të krijuar një aleancë të madhe ballkanike kundër Perandorisë Osmane, princi i Serbisë Mihailo Obrenoviq nënshkroi një marrëveshje me grekët.
1893 – Në Francë, për herë të parë në botë, u vendosën targat e regjistrimit për automjetet motorike.
1900 – Forcat e fuqive të mëdha evropiane, SHBA-së dhe Japonisë, pushtuan Pekinin, duke i dhënë fund “Kryengritjes së Boksierëve” në Kinë, që synonte dëbimin e të huajve dhe të krishterëve vendas.
1920 – Në Beograd u nënshkrua marrëveshja për krijimin e “Antantës së Vogël”, aleancë ushtarako-mbrojtëse mes Çekosllovakisë dhe Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve kundër rikthimit të Habsburgëve dhe pretendimeve revizioniste të Hungarisë pas Luftës së Parë Botërore. Më 19 gusht iu bashkua edhe Rumania.
1934 – Në kampin e parë përqendrues nazist Dahau, pranë Mynihut, mbërritën të burgosurit e parë, kundërshtarë të regjimit të Hitlerit. Në Luftën e Dytë Botërore, në këtë kamp u vranë 70.000 të burgosur nga Evropa e pushtuar.
1941 – Kryeministri britanik Winston Churchill dhe presidenti amerikan Franklin Roosevelt nënshkruan “Kartën e Atlantikut”, duke u zotuar për të drejtën e çdo populli për të zgjedhur qeverinë e vet dhe për t’u shprehur mbi ndryshimet territoriale. Kjo kartë u përfshi më vonë në Kartën e OKB-së.
1945 – Japonia pranoi kushtet e kapitullimit pa kushte të aleatëve, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore. Kapitullimi u nënshkrua më 2 shtator në anijen luftarake amerikane “Missouri” në Gjirin e Tokios.
1947 – U formua shteti i Pakistanit pas përfundimit të sundimit britanik dhe ndarjes së nënkontinentit indian në Pakistanin me shumicë myslimane dhe Indinë me shumicë hindu. Pakistan u nda në dy pjesë, Perëndimore dhe Lindore, kjo e fundit u bë më vonë shteti i pavarur Bangladesh.
1949 – Në Gjermaninë Perëndimore u mbajtën zgjedhjet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Konrad Adenauer u bë kancelari i parë i saj.
1956 – Vdiq shkrimtari gjerman Bertolt Brecht, një nga autorët dhe teoricienët më të mëdhenj të teatrit në shekullin XX. Fama botërore i erdhi me “Operën e lypsarëve” me muzikë të Kurt Weill-it. Pas kthimit në Gjermani Lindore më 1949, ai themeloi teatrin e famshëm “Ansambli i Berlinit”.
1969 – Qeveria e Britanisë së Madhe miratoi futjen e trupave britanike në Irlandën e Veriut për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit mes katolikëve dhe protestantëve.
1970 – RSF Jugosllavia dhe Vatikani rivendosën marrëdhëniet e plota diplomatike pas 18 vitesh ndërprerjeje.
1980 – Filloi greva e punëtorëve në kantierin detar të Gdanskut në Poloni. Protestat u përhapën në gjithë vendin, duke sjellë ndryshime të mëdha shoqërore dhe ndikim në vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore.
1986 – Në Pakistan shpërtheu një kryengritje kundër presidentit Zia ul-Haq. U vranë disa persona dhe udhëheqësja e opozitës Benazir Bhutto u arrestua.
1988 – Vdiq konstruktori italian i makinave sportive, Enzo Ferrari.
1996 – Partia Kombëtare e Afrikës së Jugut, mbajtëse e politikës së aparteidit, kaloi në opozitë pas 48 vitesh.
2000 – Kisha Ortodokse Ruse shpalli shenjtor carin e fundit rus Nikollaj II Romanov dhe familjen e tij, të vrarë gjatë Revolucionit të Tetorit në vitin 1918.
2000 – Këshilli i Sigurimit të OKB miratoi rezolutën për formimin e një gjykate të posaçme për krimet e luftës në Sierra Leone.
2004 – Vdiq shkrimtari polak dhe fituesi i Çmimit Nobel, Czesław Miłosz, autor i veprës së njohur “Mendja e robëruar”.
2005 – Të gjithë 121 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit humbën jetën kur një avion “Boeing 737” i kompanisë qipriote “Helios Airways” u rrëzua në Greqi.
2006 – Në orën 05:00 GMT hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit pas pranimit të Rezolutës 1701 të OKB-së, duke i dhënë fund luftimeve që kishin nisur më 12 korrik.
2008 – Polonia dhe SHBA nënshkruan marrëveshjen për vendosjen e mburojës antiraketore amerikane në Poloni.
2010 – Vdiq fotografi Herman Leonard, i njohur për fotot bardh e zi të legjendave të xhazit si Billie Holiday, Duke Ellington, Charlie Parker, Louis Armstrong, Miles Davis dhe Frank Sinatra.
2012 – Vdiq mjeshtri i shahut Svetozar Gligorić, fitues i 13 medaljeve olimpike në shah (dy të arta, gjashtë të argjendta dhe pesë të bronzta).
2013 – Autoritetet egjiptiane shpallën gjendje të jashtëzakonshme njëmujore në 13 rajone pas përleshjeve mes forcave të sigurisë dhe mbështetësve të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi, ku humbën jetën rreth 200 persona.
2014 – Autoritetet e Guinesë shpallën gjendje të jashtëzakonshme për shkak të epidemisë së Ebolës që shkaktoi mbi 1.000 viktima.
2015 – Kuba dhe SHBA rivendosën marrëdhëniet diplomatike dhe ngritën flamurin amerikan në ambasadën e SHBA-së në Havana, 54 vjet pas ndërprerjes.
2017 – Në përmbytjet që goditën Freetown-in, kryeqytetin e Sierra Leones, humbën jetën mbi 310 persona.
2018 – Në Gjenova, Itali, 43 persona humbën jetën kur u shemb një pjesë e urës së autostradës A10.
2021 – Në tërmetin me magnitudë 7,2 që goditi Haitin, humbën jetën mbi 2.200 persona.
2022 – Në një zjarr në një kishë të krishterë koptike në Kajro, Egjipt, humbën jetën 41 persona.