7 Tetor 2025 | Politika
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila pretendoi për “spastrim etnik të serbëve në Kosovë”.
Në reagimin zyrtar, Tirana e cilëson këtë deklaratë si përpjekje për shtrembërim të historisë dhe rikthim të retorikës së së kaluarës, duke theksuar se “nuk mund të ngatërrohen rolet e agresorit me ato të viktimës”.
“Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri akuzat e pabaza të ngritura nga Ministria e Jashtme e Serbisë, e cila përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes,” thuhet në reagim.
Në deklaratë, Ministria shqiptare i kujton Beogradit faktet historike të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, të cilat sollën “vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre”.
Po ashtu, Shqipëria e cilëson “të për të ardhur keq” faktin që Serbia vijon të mbështetet në raportin e diskredituar të Dik Martit, duke theksuar se hetimet ndërkombëtare kanë vërtetuar se pretendimet e atij raporti janë “fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike”.
“Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë – ajo mbahet mend me përgjegjësi,” vijon reagimi.
Në përfundim, Ministria e Jashtme e Shqipërisë apelon për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë mes vendeve të rajonit, duke theksuar se Ballkani ka nevojë për paqe dhe zhvillim, jo për retorikë të së shkuarës.
“Vetëm kështu mund të çlirohemi nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët në paqe, siguri dhe prosperitet – në një Ballkan të bashkuar në familjen evropiane, ku përkasim nga rrënjët dhe aspiratat.”
/Redaksia – Qendra.Info/