“Sportet e rënda janë për njerëz të veçant, kurse sportet intelegjente janë për sy patremburit që sa herë gjuajn e qëllojn cakun pa hile 👌!” – ky ishte postimi i mbrëmshëm i Fatmir Shehollit, vetëm pak orë para se të arrestohej nga autoritetet në Kosovë nën dyshimet për veprën penale të “Spiunazhit”.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, arrestimi i Shehollit u krye në rajonin e Prishtinës, pas disa muaj hetimesh, me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Në njoftimin zyrtar thuhet se ndaj tij ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, sipas nenit 124, paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorisë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa në vendbanimin e tij po kryhen bastisje për të siguruar prova të tjera materiale.
Arrestimin e ka konfirmuar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili deklaroi se rasti përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Ai theksoi se “koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar” dhe se kushdo që punon kundër interesave të shtetit do të ndiqet pa kompromis.
Hetimet ndaj Fatmir Shehollit po vazhdojnë dhe institucionet kompetente nuk kanë dhënë ende detaje të tjera rreth natyrës së dyshimeve apo bashkëpunimeve të mundshme të tij. Autoritetet kanë paralajmëruar se publiku do të njoftohet në kohë për zhvillimet e reja të rastit.