Serbi, 7 janar 2026 – Protestuesit studentorë që prej muajsh mbajnë të bllokuara fakultetet në Novi Sad kanë paralajmëruar një tubim të madh më 17 janar, duke sinjalizuar se lëvizja e tyre po hyn në një fazë të re, më të organizuar dhe më konkrete.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjete sociale, protestuesit kanë deklaruar se “pasojnë hapa konkretë të luftës sonë”, duke lënë të kuptohet se mobilizimi i deritanishëm po shndërrohet në veprim politik të strukturuar.
Tubimi do të mbahet nën parullën “Çfarë do të thotë fitore?”, ndërsa në mesazh thuhet qartë:
“Më 17 janar shihemi në Novi Sad.”
Sipas mesazheve të protestuesve dhe interpretimeve të qarqeve që i ndjekin nga afër këto zhvillime, studentët dhe grupet që i mbështesin po përgatiten për skenarin e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, si dhe për hyrjen në garë zgjedhore me një listë të tyre, me synimin për të sfiduar dhe rrëzuar pushtetin shumëvjeçar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Edhe pse ende nuk është bërë publike një platformë zyrtare politike, protestuesit kanë bërë të ditur se nuk do të mbeten vetëm në nivel simbolik, por do të kalojnë në veprime konkrete për ndryshim të pushtetit.
Lëvizja studentore në Serbi po shihet gjithnjë e më shumë si një nga sfidat më serioze për pushtetin aktual, ndërsa tubimi i 17 janarit pritet të tregojë drejtimin e ardhshëm të këtij mobilizimi./Qendra.INFO

