Një studim i publikuar në “Frontiers in Digital Health”, sugjeron se një regjistrim i shkurtër zëri mund të ndihmojë mjekët të zbulojnë herët shenjat e kancerit të fytit.
Shkencëtarët kanë gjetur se inteligjenca artificiale (IA) mund të analizojë ndryshimet akustike për të identifikuar formacione të pazakonta në kordet vokale – nga nodulet beninje deri te kanceri i laringut në fazat e hershme, shkruan Euronews Health .
Kanceri i laringut prek mbi një milion njerëz në botë dhe shkakton rreth 100,000 vdekje çdo vit.
Faktorët kryesorë të rrezikut janë duhani, alkooli dhe disa lloje të HPV-së.
Sipas burimit Cancer Research UK, mbijetesa varion nga 35% në 90% në varësi të kohës së diagnostikimit.
Shenjat paralajmëruese përfshijnë ngjirje zëri mbi tre javë, dhimbje ose vështirësi në gëlltitje, gungë në qafë apo fyt, dhe dhimbje veshi.
Metodat aktuale të diagnostikimit, si endoskopia nazale dhe biopsia, janë invazive, të pakëndshme dhe kërkojnë pajisje e ekspertizë të specializuar.
Një mjet i thjeshtë që përdor regjistrimin e zërit mund ta bëjë procesin më të shpejtë, më të lirë dhe të aksesueshëm për më shumë pacientë.
Ekipi hulumtoi rreth 12,500 regjistrime nga 306 persona në Amerikën e Veriut, duke analizuar ndryshime në ton, volum dhe pastërti harmonike.
Tek burrat u gjetën dallime të qarta mes zërave të shëndetshëm, atyre me lezione beninje dhe me kancer, ndërsa tek gratë nuk pati të dhëna të mjaftueshme për përfundime të sakta.
Hapi i ardhshëm është trajnimi i modeleve të IA-së me databaza më të mëdha dhe testimi klinik për të siguruar efikasitet për të dy gjinitë.
Studiuesit besojnë se mjete të tilla mund të hyjnë në fazë pilot projektit brenda pak vitesh.