Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar në emisionin “Përball” në Qendra.Info se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë një nga arsyet kryesore që ai t’i bashkohet koalicionit VLEN.
Taravari theksoi se vizioni dhe qasja politike e Kurtit kanë ndikuar drejtpërdrejt në vendimin e tij, duke e konsideruar atë si një model politik për ndryshimet që, sipas tij, i nevojiten edhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, ai shprehu shqetësim për mungesën e koordinimit mes kryeministrave shqiptarë, duke përmendur konkretisht kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti.
“Fatkeqësisht ekziston një diskordinim mes kryeministrave shqiptarë, Ramës dhe Kurtit”, deklaroi Taravari, duke shtuar se një bashkëpunim më i ngushtë mes tyre do të ishte në interes të përgjithshëm të shqiptarëve në rajon.
Deklaratat e Taravarit vijnë në një kohë të zhvillimeve të rëndësishme politike dhe kanë nxitur reagime në opinionin publik lidhur me raportet politike mes Tiranës, Prishtinës dhe faktorëve shqiptarë në rajon.
