14 tetor 2025 – Prishtinë
Tarifat e reja të presidentit amerikan Donald Trump mbi importet e drurit dhe produkteve të përpunuara prej tij kanë hyrë në fuqi këtë të martë, duke rritur shqetësimet edhe për tregtarët dhe eksportuesit kosovarë të mobilieve dhe materialeve ndërtimore.
Masat përfshijnë një tarifë prej 10 për qind mbi drurin e butë të importuar, ndërsa për disa lloje mobiliesh të mbështjella dhe dollapësh kuzhine detyrimet doganore shkojnë deri në 25 për qind. Nga 1 janari 2026, këto tarifa do të rriten më tej në 30 për qind për mobiliet e mbështjella dhe 50 për qind për dollapët e kuzhinës.
Ndërkohë, produktet e importuara nga Britania do të përballen me një nivel më të ulët tarifash — deri në 10 për qind, ndërsa ato nga Bashkimi Evropian dhe Japonia me një tavan prej 15 për qind, pas marrëveshjeve të arritura me administratën amerikane.
Ende nuk dihet nëse dhe në çfarë mase këto tarifa do të zbatohen edhe për Kosovën, e cila kohë më parë hoqi tarifat doganore për produktet amerikane.
Arieta Vula, nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se sektori është në pritje të sqarimeve nga institucionet.
“Ne kemi eksport të drurit dhe mobilieve drejt Evropës dhe SHBA-së, por është e domosdoshme të kuptohet nëse tarifat e reja do të prekin edhe prodhuesit tanë. Një rritje e tillë do ta bënte eksportin drejt SHBA-së më pak të leverdishëm,” tha Vula.
Sipas saj, edhe pse eksporti kosovar drejt tregut amerikan është ende i vogël, ai ka qenë në rritje gjatë viteve të fundit dhe mund të ndikohet ndjeshëm nga tarifat.
“Nëse kostot rriten, kërkesa nga SHBA-të do të bjerë, sepse kompanitë atje do të orientohen në tregje ku tarifat janë më të ulëta,” shtoi ajo.
Në Shtëpinë e Bardhë, administrata Trump ka arsyetuar vendimin si masë për “forcimin e industrisë vendore dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare”. Por shoqatat amerikane të ndërtuesve paralajmërojnë se tarifat e reja mund të rrisin kostot e ndërtimit të shtëpive dhe të thellojnë krizën në tregun e banesave.
Sipas Buddy Hughes, kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve të Shtëpive (NAHB), tarifat “do të krijojnë pengesa shtesë në një treg tashmë të vështirë dhe do të rrisin çmimin e ndërtimit dhe rinovimit të banesave”.
Ekspertët ekonomikë parashikojnë se tarifa 10 për qind mbi drurin e importuar mund të rrisë koston e ndërtimit të një shtëpie mesatare amerikane me rreth 2.200 dollarë.
Edhe Kanadaja, furnizuesi kryesor i drurit për Shtetet e Bashkuara, do të preket ndjeshëm, pasi tarifa shtesë e Trumpit e çon detyrimin e përgjithshëm për drurin kanadez në 45 për qind.
Sipas analistëve të Capital Economics, ndikimin më të madh nga tarifat do ta ndiejë Vietnami, pasi mobiliet përbëjnë 10 për qind të eksporteve të tij drejt SHBA-së.
Tarifat e reja janë vendosur në bazë të Nenit 232 të Aktit për Zgjerimin e Tregtisë të vitit 1962, të cilin Trump e ka përdorur më herët edhe për të vendosur tarifa mbi çelikun, aluminin dhe automjetet e importuara.,