Një studim i botuar në revistën “Social Science and Medicine”, tregon se ndihma ndaj të tjerëve, si në mënyrë të organizuar ashtu edhe në formë joformale, mund të ngadalësojë rënien njohëse tek të rriturit në moshë të mesme dhe të moshuar.
Sipas Euronews Health, studimi analizoi të dhëna nga mbi 30,000 amerikanë mbi moshën 51 vjeç, të ndjekur nga viti 1998 deri në 2020.
Rezultatet treguan se si vullnetarizmi formal – përmes organizatave – ashtu edhe ndihma joformale, si mbështetja e një fqinji ose miku, lidhen me funksione më të larta njohëse dhe një rënie më të ngadaltë me kalimin e kohës.
Largimi nga këto aktivitete, përkundrazi, shoqërohet me përkeqësim të aftësive mendore.
Sipas studiuesit Sae Hwang Han, ndihma joformale shpesh nënvlerësohet, por ofron përfitime të krahasueshme me vullnetarizmin formal.
Një tjetër gjetje e rëndësishme është se përfitimet shfaqen edhe me angazhim të moderuar prej 2 deri në 4 orë në javë.
Përfitimet nuk janë të përkohshme, por rriten me vazhdimësinë e aktivitetit. Megjithatë, studimi nuk përcakton saktë mënyrat e ndihmës dhe mbështetet në vetë-raportim, ndaj nuk mund të vërtetojë lidhje shkak-pasojë.
Edhe pse programe vullnetarizmi të strukturuara për të moshuarit mungojnë, gjetjet sugjerojnë se ata duhet të mbeten aktivë në komunitet sa më gjatë të jetë e mundur, për të mirën e tyre dhe të të tjerëve.
Siç thekson Han, mbështetja dhe përshtatja e mundësive për të ndihmuar janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit mendor në moshë të thyer.