Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka njoftuar sot se Testi Kualifikues për prokurorë të rinj, i cili ishte planifikuar të mbahej më 26 korrik 2025, është shtyrë për më 30 gusht 2025, për shkak të temperaturave të larta.
Vendimi është marrë nga Komisioni për Rekrutim, në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke u bazuar në vendimin nr. 102/VII/2025 të datës 22 korrik, i cili përcakton masa mbrojtëse ndaj ekspozimit në temperatura ekstreme.
“Testi do të mbahet më 30 gusht, ndërsa vendi dhe koha e mbajtjes mbeten të njëjta,” thuhet në njoftimin e KPK-së.
KPK siguroi opinionin publik dhe kandidatët se do të veprojë në përputhje me parimet e transparencës dhe përgjegjësisë institucionale, duke prioritizuar shëndetin dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në procesin e rekrutimit.