Më 31 dhjetor 2025, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e drejtuar nga Rozeta Hajdari, ka hapur procedurë të re të prokurimit publik për furnizim me grurë për nevojat e Rezervave Shtetërore. Vlera e këtij tenderi është rreth 2 milionë euro, ndërsa sasia e planifikuar për furnizim arrin në 6,650 ton grurë, sipas njoftimit zyrtar të publikuar në platformën e e-Prokurimit, shkruan Demokracia.com.
Ky aktivitet i prokurimit vjen pas një vendimi të MINT-it për anulimin e të gjitha ofertave të pranuara, me arsyetimin se asnjë prej operatorëve ekonomikë nuk ishte i përgjegjshëm dhe nuk i përmbushte kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit. Vendimi për anulim është formalizuar më 29 dhjetor 2025, duke i dhënë fund procedurës së mëparshme të prokurimit për furnizim me grurë për rezervat shtetërore.

Ndryshe nga hera e kaluar, kur tenderi për rezerva shtetërore ishte zhvilluar në rrethana të mbyllura dhe ishte cilësuar si “top sekret”, këtë herë procedura është hapur publikisht. Megjithatë, zhvillimet e fundit rikthyejn sërish vëmendjen te ky proces, pasi një operator ekonomik ka paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke kundërshtuar vendimin e MINT-it për anulimin e tenderit.
Sipas ankesës së dorëzuar në OSHP, kompania Euro Ver Sh.P.K. pretendon se është eliminuar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Ankesa argumenton se dokumentet e përshtatshmërisë, përfshirë vërtetimin nga gjykata dhe atë nga Administrata Tatimore e Kosovës, janë refuzuar padrejtësisht për shkak të datës së lëshimit të tyre, ndonëse, sipas ankuesit, ato dëshmojnë qartë se operatori ka qenë i përgjegjshëm brenda periudhës ligjore të kërkuar
Rrjedhimisht, tenderi 2 milionë euro për furnizim me grurë për rezervat shtetërore ka përfunduar në OSHP, ku pritet të shqyrtohet ligjshmëria e veprimeve të Autoritetit Kontraktues dhe të vendoset nëse anulimi i procedurës ka qenë i bazuar apo jo. Vendimi i OSHP-së pritet të përcaktojë edhe fatin e mëtejmë të këtij aktiviteti të prokurimit, i cili lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore dhe rezervat strategjike të shtetit.
Kjo procedurë zhvillohet tash kur ministrja Rozeta Hajdari është duke u përballur me proces gjyqësor pikërisht për një tender të mëhershëm të rezervave shtetërore, çështje që vazhdon të jetë në shqyrtim nga organet e drejtësisë. Kjo situatë ka shtuar edhe më tej interesimin publik për mënyrën se si po menaxhohen tenderët milionësh në këtë dikaster.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit dhe tre personave të tjerë.
Aktakuza është ngritur lidhur me dyshimet për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar, dhe – zbulim i fshehtësisë zyrtare.
Përveç ministres Rozeta Hajdari, të pandehur për rastin e rezervave shtetërore janë edhe: Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.
Përmes një njoftimi, PSRK kishte thënë se aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës dhe Hafiz Garës, është ngritur lidhur me dyshimet për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar, dhe – zbulim i fshehtësisë zyrtare.
Ndërsa, ndaj Ridvan Muharremit, njofton se ka ngritur aktakuzë nën dyshimin për – ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas njoftimit, Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimit të dëmit ndaj buxhetit të Kosovës.
“Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 11.11.2025.
Gjithmonë sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit akuzohen se pa autorizim kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare, ku edhepse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit Ridvan Muharremit, etj. /Demokracia.com/

