Prishtinë, 14 tetor 2025 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk ka nisur diskutimet për formimin e qeverisë së re, ndonëse tashmë është zyrtarisht mandatar pas dekretit të nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani të shtunën.
Në një prononcim për Ekonomia Online, që e transmeton Periskopi, Kurti tha se gjatë ditëve të fundit ka qenë i angazhuar me analizën e rezultateve të zgjedhjeve dhe vlerësimin e kontributeve të fushatës nëpër komuna, ndaj nuk ka pasur kohë të zhvillojë takime politike.
“Tepër shumë punë këto ditë, analizat e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributin që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë,” deklaroi Kurti.
Mandati për formimin e Qeverisë
Presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar Kurtin për formimin e qeverisë së re, pasi Lëvizja Vetëvendosje doli forcë e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, me 48 deputetë të siguruar në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandatarit i takojnë 15 ditë kohë për të paraqitur përbërjen e kabinetit qeveritar dhe për të kërkuar miratimin nga Kuvendi. Për miratim, qeveria e propozuar duhet të marrë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë.
Në rast se mandatarit të parë nuk i kalon qeveria, presidentja ka detyrimin që brenda 10 ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të caktojë një mandatar të ri. Edhe ky ka 15 ditë afat për të formuar kabinetin. Nëse as pas kësaj përpjekjeje nuk krijohet shumica parlamentare, shpallen zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Negociatat e mundshme
Burime brenda Vetëvendosjes kanë bërë të ditur se subjekti po synon mbështetjen e 7 deputetëve të komuniteteve joserbe, si dhe përfshirjen e Nismës Socialdemokrate, e cila ka 3 ulëse në Kuvend.
Megjithatë, deri tani nuk është arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me Nismën, ndonëse palët kanë konfirmuar se ka pasur kontakte dhe diskutime fillestare.
Në ditët në vijim, Kurti pritet të nisë zyrtarisht konsultimet me partitë parlamentare për formimin e kabinetit të ri qeveritar, ndërkohë që përbërja e qeverisë do të jetë një prej zhvillimeve kryesore politike të javës së ardhshme.