Një ngjarje e rëndë ndodhi të dielën mbrëma në lagjen Itterbeek të Anderlechtit, Belgjikë, ku një shqiptar 61-vjeçar, pronar i kafenesë “Maison Haute”, humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri nga qiramarrësi i tij.
Sipas dëshmitarëve, në vendngjarje u dëgjuan të paktën katër të shtëna rreth orës 20:30. Viktima u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Policia belge ka arrestuar autorin e dyshuar dhe ka përjashtuar për momentin pistën e trafikut të drogës, duke dyshuar se bëhet fjalë për një konflikt personal mes tij dhe pronarit shqiptar.
Komuniteti lokal është tronditur nga ngjarja. Miqtë e viktimës e kanë përshkruar atë si një person të respektuar, të qetë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët.
Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të krimit po vazhdojnë.