Bujanoc – Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme qytetin e Bujanocit, ku një 19-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me thikë pas një konflikti mes dy grupeve të të rinjve.
Viktima, A.M., i lindur në vitin 2006, ndërroi jetë në Qendrën Klinike të Nishit nga plagët e rënda në zonën e gjoksit, ka konfirmuar Prokuroria e Lartë Publike (VJT) në Vranjë.
Sipas burimeve jozyrtare, një tjetër i ri është plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike, ndërsa disa persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore dhe po trajtohen në Qendrën Shëndetësore të Vranjës.
“Më 6 gusht 2025, në Bujanoc ka ndodhur një konfrontim fizik midis disa personave, në të cilin A.M. (2006) ka pësuar lëndime kërcënuese për jetën nga plagë me thikë në gjoks dhe ka ndërruar jetë në spital”, thuhet në deklaratën zyrtare të nënshkruar nga kryeprokurorja publike, Danijela Trajkoviq.
Policia dhe ekipet mjeko-ligjore kanë kryer ekspertizat në vendngjarje, ndërsa autoritetet janë në kërkim të personit ose personave përgjegjës.
“Po punojmë për të sqaruar të gjitha rrethanat, për të identifikuar autorin e vrasjes dhe për të hetuar nëse ka pasur edhe vepra të tjera penale kundër jetës dhe trupit të njeriut”, bëri të ditur Prokuroria.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë tek banorët e Bujanocit dhe më gjerë. Autoritetet pritet të dalin me një deklaratë të plotë pas përfundimit të hetimeve.