Tre shqiptarë, të akuzuar për përfshirje në një rrjet të organizuar trafiku droge në Gent, Belgjikë, nuk u paraqitën në gjykatë dhe dyshohet se janë arratisur drejt Shqipërisë, duke humbur edhe garancitë financiare.
Mediat belge raportojnë se gjatë hetimeve autoritetet kontrolluan disa banesa. Në një apartament në Edward Pynaertkaai u gjetën prova të lidhura me kontabilitetin e aktivitetit kriminal, para cash dhe lëndë narkotike. Në rrugën Oosteeklostraat u sekuestruan 169 gramë kokainë dhe 4 mijë euro, ndërsa në Hagelandkaai u gjetën edhe 119 gramë kokainë.
Prokuroria tha se provat tregojnë për një rrjet të mirëorganizuar kriminal, ku një prej të pandehurve dyshohet të ketë rol drejtues, ndërsa dy të tjerët kanë vepruar si zbatues. Për ta janë kërkuar dënime deri në 40 muaj burg dhe gjoba deri në 8 mijë euro, përfshirë edhe konfiskimin e pasurisë.
Avokatët mbrojtës kundërshtuan akuzat, duke pretenduar mungesë provash për një organizim të strukturuar dhe duke kërkuar masa më të lehta.
Mungesa e të pandehurve në seancë çoi në humbjen e garancive financiare prej 10 mijë dhe 8 mijë eurosh që ata kishin depozituar për të qëndruar në liri.

