Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se është kontaktuar nga fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, e cila sipas tij i ka thënë se ai është ai që e meriton këtë çmim.
“Personi që në fakt e fitoi Çmimin Nobel më telefonoi sot dhe më tha: ‘Po e pranoj këtë në nderin tuaj, sepse ju e meritoni vërtet’,” u shpreh Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale, pa e përmendur me emër udhëheqësen e opozitës venezueliane.
“Është shumë mirë nga ana e saj që e bëri këtë. Unë nuk i thashë: ‘Atëherë ma jep mua’, megjithëse mendoj se mund ta bëjë,” shtoi ai me ironi.
Çmimi Nobel për Paqen është një nga çmimet më prestigjioze politike në botë.
Në javët e fundit, Trump ka përsëritur disa herë se e meriton këtë çmim, duke thënë se ka përfunduar shtatë luftëra brenda shtatë muajve gjatë mandatit të tij.