“Takimi i madh tregtar në Evropë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës ka shkuar shumë mirë! Do të përfundojë së shpejti”, shkroi Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.
Diplomatët e dy vendeve u takuan këtë javë në Madrid për të diskutuar tregtinë dhe çështje të tjera, ndërsa sekretari i Thesarit, Scott Bessent, konfirmoi se çështja e TikTok ishte në rendin e ditës.
Trump ka shtyrë disa herë afatin e vendosur prej tij për të arritur një marrëveshje mbi të ardhmen e TikTok në SHBA, duke kërkuar që të paktën një pjesë e biznesit amerikan i kompanisë të kalojë nën pronësi të mbështetur nga investitorë amerikanë.
Çështja mori dimension ligjor pas miratimit të një projektligji dypartiak nga Kongresi, i cili u firmos nga ish-presidenti Joe Biden. Ligji parashikonte ndalimin e TikTok në SHBA, përveçse në rastin kur kompania kineze do të hiqte dorë nga aksionet e saj në asetet amerikane të rrjetit social.