Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se dhjetë pengje izraelite që aktualisht mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës do të lirohen së shpejti. Deklarata e tij erdhi të premten mbrëma gjatë një darke të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë me pjesëmarrjen e ligjvënësve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë.
Gjatë fjalës së tij, Trump theksoi përparimet që sipas tij janë arritur nga i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, i cili po ndërmjetëson për një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit. “Ne kemi kthyer shumicën e pengjeve. Do të kemi edhe 10 të tjerë shumë shpejt dhe shpresojmë ta përfundojmë këtë proces sa më parë,” tha Trump, pa dhënë më shumë detaje rreth negociatave apo afatit konkret të lirimit.
Presidenti amerikan ka përsëritur disa herë gjatë javëve të fundit se një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve është “afër”, megjithatë deri më tani nuk janë shënuar rezultate konkrete të konfirmuara nga palët. Kjo deklaratë e fundit rrit shpresat për përparim në bisedimet e ndërlikuara që po zhvillohen me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera partnere në rajon.