Presidenti amerikan, Donald Trump, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisjes së Meksikës, duke deklaruar se vendi nuk kontrollohet nga autoritetet shtetërore, por nga kartelët e drogës.
Deklaratat u bënë gjatë një interviste, ku Trump komentoi situatën e sigurisë në Meksikë dhe sfidat me të cilat po përballet vendi përballë krimit të organizuar.
“Claudia Sheinbaum është një grua e mirë, por kartelët po e drejtojnë Meksikën. Ajo nuk po e drejton Meksikën – kartelët janë ata që e drejtojnë”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan theksoi se ndikimi i kartelëve të drogës në institucionet shtetërore meksikane paraqet rrezik serioz për sigurinë rajonale dhe për Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar se Uashingtoni do të vazhdojë të ushtrojë presion për luftimin e krimit të organizuar.
Deklaratat e Trump pritet të shkaktojnë reagime në Meksikë dhe të tensionojnë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat prej vitesh përballen me bashkëpunim dhe përplasje lidhur me çështjet e sigurisë dhe trafikut të drogës./Qendra.INFO

