10 tetor 2025 – Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka propozuar ndalimin e kompanive ajrore kineze që të përdorin hapësirën ajrore të Rusisë gjatë fluturimeve drejt dhe nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportimeve të Reuters, përdorimi i rrugëve ajrore ruse u jep kompanive kineze një avantazh të madh konkurrues, pasi u mundëson të kursejnë kohë dhe karburant. Ndërkohë, kompanitë amerikane nuk kanë mundësi të fluturojnë mbi territorin rus që nga viti 2022, për shkak të sanksioneve dhe tensioneve politike mes SHBA-së dhe Rusisë.
Në këtë mënyrë, sipas administratës amerikane, kompanitë kineze – si China Eastern Airlines – përfitojnë ndjeshëm në kosto dhe kohë udhëtimi, ndërsa linjat ajrore amerikane detyrohen të ndjekin rrugë më të gjata dhe më të shtrenjta.
Propozimi i ri parashikon ndalimin vetëm për fluturimet me pasagjerë, ndërsa ato tregtare për transport mallrash nuk do të preken.
Ky hap shihet si një përshkallëzim tjetër në luftën tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë, pas vendosjes së kontrolleve të reja nga Kina mbi eksportet e mineraleve të rralla, të cilat janë thelbësore për industrinë amerikane të teknologjisë dhe mbrojtjes.