Një shtetas turk 35-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare në Morinë, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke për mashtrim financiar me anë të sistemeve elektronike.
Bëhet fjalë për Kadir Kuçukologu, i cili ishte dënuar me 4 vite burg nga Gjykata e Lartë për Krime në qytetin Karsikaya, Turqi. Kuçukologu akuzohet për veprën penale të “vjedhjes me anë të mashtrimit duke përdorur sisteme elektronike të përpunimit të të dhënave, bankë ose institucion huadhënës”.
Arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Policisë Kufitare në Morinë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, pasi shërbimet kishin marrë informacion për përpjekjen e këtij shtetasi për të hyrë në territorin shqiptar.
Pas arrestimit, autoritetet shqiptare kanë caktuar masën e arrestit provizor me qëllim ekstradimi ndaj tij.
Interpol Tirana ka nisur procedurat ligjore në bashkëpunim me homologët turq për finalizimin e ekstradimit të 35-vjeçarit në vendin e tij të origjinës.