Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar sot në një konferencë për media 10 vendimet e para që do të ndërmarrë nëse merr drejtimin e kryeqytetit pas zgjedhjeve të 13 tetorit.
Ai tha se Prishtina ndodhet në një moment vendimtar dhe ka nevojë për vendime të guximshme e të menjëhershme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Prishtina nuk ka kohë për eksperimente, kaos dhe bllokada. Nuk ka kohë për plane të paarritshme. Ka nevojë për një kryetar që u del zot punëve. Në fund të mandatit tim, qytetarët do të më matin me punë. Nëse nuk realizoj 90% të zotimeve, nuk do të kërkoj më kurrë vota për një mandat të dytë,” deklaroi Ismaili.
10 vendimet e para të Uran Ismailit për Prishtinën:
-
Hapja e Sheshit “Xhorxh Bush” në javën e parë;
-
Pezullimi i lejeve të reja ndërtimore për 6 muajt e parë;
-
Fillimi i procedurave për krijimin e Qendrës Dixhitale të Menaxhimit të Trafikut;
-
Fillimi i procedurave për blerjen e 60 kamionëve të rinj për mbeturina;
-
Krijimi i taskforcës për ndriçimin e 1,000 rrugëve të kryeqytetit;
-
Fillimi i procesit për ndërtimin e një strehimoreje të re për trajtimin e qenve endacakë;
-
Fillimi i procedurave për vendosjen e 200 oficerëve të sigurisë në shkolla;
-
Vendimi ekzekutiv për lirimin e trotuareve të bllokuara;
-
Krijimi i taskforcës për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës;
-
Vendimi ekzekutiv për dyfishimin e subvencioneve për fermerë dhe agrobiznese.
Në fund, Ismaili nënshkroi formalisht këto zotime, duke thënë se më 13 tetor fillon “një epokë e re për kryeqytetin”.
“Ka ardhë koha për një kryetar që çdo ditë merret me nevojat e qytetarëve dhe nuk fshihet pas premtimeve të parealizueshme,” u shpreh ai.