Një studim i ri i publikuar në revistën Science Translational Medicine ka zbuluar se ushqimet e pasura me yndyra të caktuara mund të nxisin një formë të rëndë të astmës tek fëmijët, e njohur si astma neutrofilike.
Kjo lloj astme, ndryshe nga astma alergjike, shkaktohet nga proteina mikrobiale dhe bakteriale dhe shpesh është më e vështirë për t’u trajtuar.
Hulumtuesit kanë identifikuar acidin stearik, një lloj yndyre e ngopur që gjendet në yndyrat shtazore dhe ushqimet e përpunuara, si faktor kryesor që shkakton reaksione inflamatore në mushkëri, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
“Deri tani mendohej se obeziteti ishte shkaktari kryesor, por pamë se edhe fëmijë jo obez zhvillonin këtë formë astme,” shpjegoi Dr. David Hill nga Spitali i Fëmijëve në Filadelfia.
Studimi tregoi se acidi stearik shkakton grumbullimin e qelizave të bardha të gjakut në mushkëri, duke nxitur inflamacionin.
Përkundrazi, acidi oleik, një yndyrë e pangopur që gjendet në vaj ulliri, ndihmon në uljen e inflamacionit.
Ekspertët theksojnë se gjetjet mund të hapin rrugë për strategji të reja trajtimi dhe ndryshime të synuara dietike që do të ndihmonin në parandalimin e këtij tipi të astmës tek fëmijët.