Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut ku ata së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Sa i përket Thaçit, gjyqtarja e procedurës paraprake, Masselot ka thënë se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet.
Përveç kësaj, ajo ka konstatuar se ekziston rreziku që ai të arratiset, t’i pengojë procedurat si dhe të kryej krime të tjera.
Këto vlerësime kanë të bëjnë me rëndësinë e veprave penale për të cilat Thaçi akuzohet dhe dënimi i mundshëm në rast që ai shpallet fajtor, qëllimet jo të mira të të akuzuarit ndaj ligjeve dhe procedurave të Gjykatës, mundësinë e tij për t’u arratisur pavarësisht paraburgimit të tij aktual në çështjen 06 ku ai akuzohet për krime lufte etj.
“veprimet e z. Thaçit tregojnë për këmbëngulje në përpjekjet për të penguar procedurat e DhSK-së edhe nga brenda Qendrës së Paraburgimit të DhSK-së, përfshirë përmes ndikimit të tij mbi ish-pjesëtarë të UÇK-së që i qëndrojnë besnikë dhe persona nga rrethet e tij politike, si bashkë të akuzuarit në këtë çështje”, thuhet në vendim.
“Rreziku i pengimit nuk është zhdukur me mbylljen e çështjes së ZPS-së në çështjen 06, pasi procedurat mbeten ende në zhvillim dhe dëshmitarët që kanë dëshmuar tashmë mund të përballen me hakmarrje ose të nxiten për të tërhequr dëshmitë; (ii) rreziku i pengimit vlerësohet jo vetëm në lidhje me çështjen 06, por edhe me çështjen aktuale; dhe (iii) procesi i vazhdueshëm i zbulimit e rrit më tej këtë rrezik, pasi i jep z. Thaçit qasje në informacion sensitiv që lidhet me dëshmitarët”, thuhet në vendim, raprorton Betimi për drejtësi.
Vlen të theksohet se mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq nuk ka parashtruar asnjë përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit.