Policia e Kosovës ka konfirmuar se po e heton si vdekje të dyshimtë rastin e një punëtori 44-vjeçar, i cili humbi jetën sot pasdite në vendin e tij të punës në Skenderaj, në rrethana që ende nuk janë zbardhur plotësisht.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 16:00, policia u njoftua për një person që kishte pësuar probleme shëndetësore në rrugën “17 Shkurti” dhe gjendej i shtrirë në ambientet e punës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet emergjente mjekësore dhe njësitë policore.
“Mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes ka konstatuar se personi nuk kishte shenja jete. Viktima është i moshës 44-vjeçare,” thuhet në deklaratën e Policisë.
Ndërkohë, në vendngjarje kanë arritur edhe hetuesit e Njësisë Rajonale të Hetimeve, krim-teknikët, si dhe inspektorët e punës, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore dhe ligjore.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa është inicuar rasti si “vdekje e dyshimtë”.
Hetimet janë në zhvillim për të ndriçuar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje nëse vdekja ka ndodhur si pasojë direkte e ndonjë sulmi kardiak apo faktorëve të tjerë të mundshëm të lidhur me kushtet e punës.