Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e një personi rreth moshës 25-vjeçare, i cili ka rënë nga një lartësi e madhe në rrugën “Garibaldi”, afër hotelit “Grand” në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prishtinës, Agron Borovci, njoftoi se rasti është raportuar rreth orës 11:30 paradite.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore dhe mjekësia emergjente kanë dalë në vendin e ngjarjes. Fatkeqësisht, është konstatuar se viktima – një mashkull rreth 25 vjeç – ka ndërruar jetë në vend”, deklaroi Borovci.
Policia është duke kryer hetimet për të zbardhur rrethanat e këtij rasti tragjik. Nuk janë dhënë ende detaje lidhur me identitetin e viktimës apo arsyet që kanë çuar në incidentin fatal.
Hetimet janë në vazhdim.