Tiranë, 17 tetor 2025 – Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashniku, ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Tiranë, pasi ka përshkuar 260 kilometra në këmbë nga Prishtina.
Në një lidhje direkte për Euronews Albania, Pllashniku tha se e ndërmori këtë rrugëtim për të shprehur përkrahje për luftëtarët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, si dhe për të marrë pjesë në protestën që pritet të zhvillohet sot në orën 17:00 në kryeqytetin shqiptar.
“Ndihem pak i lodhur, por jemi mirë. Në orën 10 kam hyrë te Sheshi Shqiponja. E mora këtë iniciativë për të përkrahur ata legjendarë që janë në Hagë, që mbahen padrejtësisht prej pesë vitesh me aktakuza të Beogradit. Po mendoj se po ia vlen, sepse ata kanë sakrifikuar për ne, shteti shqiptar ka sakrifikuar për ne”, u shpreh Pllashniku.
Veterani kosovar pritet t’i bashkohet protestës së sotme në Tiranë, e cila organizohet në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.