Prishtinë, 07 Tetor 2025 – Deputeti dhe analisti politik Visar Ymeri ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e ndihmave prej 100 euro për studentët, duke e cilësuar këtë si një akt marketingu politik në prag të zgjedhjeve lokale.
Sipas Ymerit, ndihmat financiare për studentët, pensionistët dhe familjet janë në parim të mirëpritura, por duhet të jenë pjesë e një politike të qëndrueshme dhe të drejtësisë sociale, e jo veprime të momentit politik. Ai thekson se kur këto ndihma jepen në prag të zgjedhjeve, ato humbin kuptimin e tyre si e drejtë qytetare dhe shndërrohen në favor politik.
“Çka i duhet Kosovës janë institucione dhe mekanizma të mirëqenies që garantojnë parashikueshmëri, planifikim dhe mbrojtje për të gjithë, pavarësisht kush është në pushtet. VV dhe Kurti nuk i kanë institucionalizuar këto ndihma, duke i mbajtur ato në nivel të zemërgjërësisë së liderit, pa transparencë dhe llogaridhënie,” ka shkruar Ymeri.
Ai përfundon duke vlerësuar se një qeverisje e tillë shndërron solidaritetin në marketing dhe politikat sociale në bamirësi, duke dëmtuar besimin qytetar.