Betim Gjoshi ka reaguar pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, duke theksuar se shpallja e kërkesës së Presidentes për KQZ-në si e papranueshme ishte e pritshme.
Gjoshi kërkon që Presidentja Vjosa Osmani të emërojë urgjentisht përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ, duke garantuar përfaqësimin proporcional të subjekteve më të mëdha parlamentare dhe ruajtjen e pluralizmit politik në institucionin e zgjedhjeve.
“Presidentja Osmani duhet që me urgjencë të emërojë përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ dhe të ndërpritet dëmtimi i rolit opozitar në këtë institucion të zgjedhjeve, me rëndësi të veçantë për demokracinë dhe pluralizmin politik në vend.”
Postimi i plotë;
Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese për papranueshmërinë e kërkesës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, është i pritur.
Presidentja Osmani duhet që me urgjencë të emërojë përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ dhe të ndërpritet dëmtimi i rolit opozitar në këtë institucion të zgjedhjeve, me rëndësi të veçantë për demokracinë dhe pluralizmin politik në vend.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës [neni 139, paragrafi 4] për përbërjen e KQZ-së dhe praktika institucionale e ndjekur nga vetë Osmani [2021] – janë dëshmi e mjaftueshme për të drejtën e PDK-së që, si grup i dytë më i madh parlamentar, të përfaqësohet në KQZ me 2 anëtarë.
Riktheksojmë se në paragrafin 4 të nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës përcaktohet qartë se 6 anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare, përkatësisht nga subjektet politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, që aktualisht janë LVV, PDK, LDK dhe AAK. Pra, Kushtetuta e Kosovës është e qartë: së pari, sigurohet përfaqësimi proporcional i subjekteve më të mëdha parlamentare. Dhe së dyti, meqenëse pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kuvend janë vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Në krahasim me rezultatet e zgjedhjeve paralamentare të 14 shkurtit 2021, kur Vetëvendosje kishte vetëm 58 deputetë e PDK 19, rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 tregojnë se Vetëvendosje tani ka 1 deputet më pak (57) në raport me PDK-në që ka 3 më shumë (22), andaj gjithçka është e qartë për të drejtën tonë dhe përfaqësimin meritor të mbështetur jo vetëm në Kushtetutë, por edhe në praktikën institucionale.

