Ora po afron, dhe zgjedhja e presidentit/es, është një prej temave më të diskutuara aktualisht.
Në njërën anë, është dëshira dhe kërkesa e hapur e shprehur nga Vjosa Osmani edhe për një mandat, e në anën tjetër, ‘lojërat’ politike të VV-së e Kurtit, për sigurimin e numrave.
Aktualisht, bazuar në burimet e gazetës Nacionale, ka disa opsione.
Pavarësisht dëshirës së hapur të shprehur nga presidentja aktuale, Vjosa Osmani, për ta marrë edhe një mandat, shumica parlamentare, pra VV-ja, ia ka bërë të ditur se nuk i ka numrat e sigurt. “VV-ja po i thotë që nuk i kemi të gjitha votat”, ka thënë një burim i afërt me zhvillimet në kushte anonimiteti.
Madje, si rezultat e kësaj, Osmani ka nisur një ‘flirtim’ me PDK-në, duke i dalur në mbështetje platformës ‘Liria ka emër’ për protestën e 17 shkurtit, dhe gjithashtu pak ditë më parë, shkruajti në rrjete sociale për procesin gjyqësor në Hagë.
Megjithatë, aktualisht, sigurimi i votave nga PDK-ja, duket i vështirë.
Partia Demokratike e Kosovës, sipas burimeve jozyrtare, ka shprehur gatishmëri për të votuar për president dikënd nga familja Jashari. Megjithatë, një gjë e tillë mbetet e pakonfirmuar.
Kandidimi i dikujt nga familja Jashari për këtë post, kishte qenë opsion i diskutueshëm tash e një kohë të gjatë.
Një tjetër emër befasues është Lumir Abdixhiku, që sipas disa burimeve, ka shprehur dëshirën për t’u bërë president. Megjithatë, edhe kjo mbetet e pakonfirmuar.
Ditën e sotme, kryeministri Albin Kurti, deklaroi se qysh prej nesër, do të fillojë diskutimet me partitë politike për postin e presidentit/es.
“Pas konsitutimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë mbrëmë,. Tash jemi në hapin e tretë, votimi i buxheti të 2026 dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundojnë këto, jam gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet tjera politike për çështjen e presidentit”, ka thënë Kurti.
Duket se për këtë çështje edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Këshilltari për Media i Presidencës, Bekim Kupina, ka bërë me dije se anulimi ka ndodhur për shkak të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve të brendshme që ka presidentja.
“Megjithatë, për arsye të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, ajo ka vendosur të mos marrë pjesë këtë vit”, ka thënë Kupina.
Dy partitë më të mëdha opozitare më herët kanë bërë me dije nuk do t`i ikin përgjegjësisë për çështjen e presidentit.
Liderët e këtyre partive janë shprehur të hapur për të diskutuar me partinë në pushtet rreth zgjedhjes së presidentit të ri.
Megjithatë, ata kanë thënë se përgjegjësia kryesore për këtë çështje i takon partisë së Albin Kurtit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi triumfoi ndaj votëbesimit partiak, ka thënë se duhet diskutime për këtë çështje.
“Jo nuk kemi diskutime të tilla, kemi diskutuar se na duhet komunikim politik brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk e kemi fjalën për pazare politike, kemi fjalën që duhet të ulën partitë që t’i bëjnë numrat për një president të ardhshëm të Kosovës. Pra jam i gatshëm të flas me gjithë spektrin politik, për t’i dhënë zgjidhje çështjes shumë të rëndësishme të presidentit i cili do të jetë konsensual dhe do të përfaqësojë unitetin kombëtar të Kosovës.”, ka thënë ai, duke shprehur i gatshme për një marrëveshje politike për këtë temë.
“Pra, kur themi marrëveshje politike, mos e merrni si të rëndë të gabueshme është gjëja më bazike që demokracitë e bëjnë, duhet të ulemi që të bëjmë një shumicë, përndryshe si do të bëhet ajo shumicë. LDK është e përkushtuar që të gjejë konsnesus, këtë duhet ta them, dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë gjë”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se PDK-ja është e gatshme të diskutojë me Vetëvendosjen për temën e presidentit.
Ai ka bërë me dije se përgjegjësia kryesore mbetet te partia e parë.
“Nuk ka kurgjo të keqe me folë, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë. Presidenti Rugova herën e parë e ka dhënë postin e kryeministrit, ku ka qenë zotëri Rexhepi, dhe vetë ka qenë president. Herën e dytë ia ka dhënë zotit Haradinaj, dhe vetë ka qenë president. Herën e tretë është zhgjedhur zoti Sejdiu me përkrahje të PDK-së, dhe kryeministër ka qenë zoti Thaçi. Mirëpo, PDK i ka pasur shumicën, por e ka marrë kryeministrin dhe e ka zgjedhur presidentin me marrëveshje politike”, ka thënë Hamza.

