Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj institucioneve të Kosovës për qëndrimin e tyre karshi proceseve gjyqësore që po zhvillohen kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Çitaku ka deklaruar se veprimet e Speciales përbëjnë “deformim të drejtësisë dhe përndjekje”, ndërsa ka theksuar se reagimi i institucioneve të Kosovës është i munguar dhe “shurdhues”.
Sipas saj, mbrojtja e liderëve të UÇK-së nuk mund të bëhet me “fjalime boshe apo deklarata populiste”, por kërkon veprime konkrete, diskrete dhe institucionale.
Ajo ka theksuar se Ministria e Jashtme dhe Presidenca duhej ta kishin këtë çështje prioritet kombëtar, por në vend të kësaj, sipas saj, luftëtarët janë lënë të braktisur nga institucionet.
Duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti, Çitaku ka shtuar:
“Ai që nuk ngurron të sulmojë gjyqtarë e prokurorë në Kosovë, përballë Speciales nuk guxon as të hapë gojën”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

