Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë një thirrje publike për serbët e Kosovës që të votojnë për Listën Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një konferencë të jashtëzakonshme, Vuçiq e cilësoi Listën Serbe si “listë përgjegjëse që përfaqëson interesat e serbëve” dhe që sipas tij nuk i nënshtrohet kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe nuk merr urdhra nga ambasada.
“Po i bëjmë thirrje qytetarëve tanë që të votojnë për Listën Serbe, sepse ajo është zëri i tyre dhe i përfaqëson në mënyrë dinjitoze,” – tha Vuçiq.
Presidenti serb gjithashtu akuzoi autoritetet kosovare për sulme me motive etnike ndaj komunitetit serb që kur Kurti erdhi në pushtet, duke theksuar se Lista Serbe ka duruar “terror që asnjë parti tjetër nuk e ka përjetuar në Evropë në historinë moderne”.
Deklarata e Vuçiq vjen në një klimë tensioni politik në prag të zgjedhjeve, ku ndërhyrjet e Beogradit në procesin zgjedhor në Kosovë janë shndërruar në një nga temat më të diskutueshme politike dhe diplomatike.