Pas gati katër vitesh nga lansimi, Windows 11 ka arritur më në fund të tejkalojë Windows 10-ën për nga popullariteti, duke u bërë sistemi operativ më i përdorur në desktop.
Sipas të dhënave të fundit nga StatCounter, Windows 11 ka arritur të mbulojë 52% të tregut global të desktopëve, ndërsa Windows 10 ka rënë në 44.59%. Kjo shënon një pikë kthese të rëndësishme për Microsoft-in, pak muaj para se Windows 10 të dalë jashtë mbështetjes zyrtare më 14 tetor 2025.
Ndërkohë që Windows 11 kishte fituar popullaritet në mesin e kompjuterëve për lojëra që nga shtatori i vitit të kaluar, adoptimi i përgjithshëm ishte i ngadaltë për shkak të kërkesave të larta harduerike, përfshirë TPM 2.0 dhe procesorët e rinj të mbështetur.
Edhe pse përditësimi nga Windows 10 në Windows 11 ofrohej falas, shumë kompjuterë të vjetër mbetën jashtë për shkak të këtyre kufizimeve teknike.
Me afrimin e fundit të mbështetjes për Windows 10, Microsoft pritet të intensifikojë fushatat për kalimin drejt Windows 11-ës, duke e pozicionuar atë si të ardhmen e ekosistemit Windows.