Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka komentuar publikimin e plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ky vendim nuk e zgjidh ngërçin politik në vend.
“Aktgjykimi nuk i jep fund krizës politike nëse nuk ka marrëveshje politike. Kompromisi është zgjidhja kryesore. Nuk është në pyetje kryetari i Kuvendit, por Qeveria”, tha Haliti në Teve1.
Ai shtoi se beteja aktuale politike nuk lidhet vetëm me postin e kryeparlamentarit.
“Beteja po bëhet se kush do ta bëjë Qeverinë dhe a do të kemi një koalicion të madh për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Haliti.
Duke folur për përgjegjësitë politike, ai theksoi se faji nuk është tek deputetët, por tek partitë politike dhe liderët e tyre.
“Faji është tek partitë politike dhe jo tek deputetët që s’po krijohet Kuvendi. Krejt kjo është faji i kryetarëve të partive, pasi ata duhet të vendosin se çfarë të bëhet”, tha ai./Periskopi/