29 shtator – Analisti politik Visar Ymeri ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili së fundi tha se “nuk është problem i tij ta largojë Serbinë nga Rusia”.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ymeri u shpreh i habitur se si kryeministri i Kosovës e sheh sigurinë e vendit si diçka që nuk është përgjegjësi e tij.
“Si bëhet që siguria e Kosovës nuk qenka problem i Albin Kurtit?”, pyet Ymeri, duke shtuar se një Serbi e lidhur ngushtë me Rusinë është rrezik i madh për sigurinë, demokracinë dhe stabilitetin e rajonit. Sipas tij, një Serbi e tillë përfaqëson kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Ymeri gjithashtu kritikoi ashpër qëndrimet e Kurtit lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, Kurti po pretendon se ShBA-të po e pengojnë vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, duke e interpretuar si përkrahje për krimin atje.
“Problemi i dytë ky: Kurti po thotë që ShBA e përkrahin krimin në veri meqë e sanksionojnë Kosovën kur e lufton atë. Sëkëndejmi, nuk qenka problem ndikimi rus në Serbi, por ndikimi amerikan në Kosovë”, shkroi Ymeri.
Ai e përmbylli reagimin me pyetjen nëse Kurti e di saktësisht çfarë po thotë, apo thjesht po flet pa menduar. “Po shpresoj që këto qëndrime janë të rastësishme”, tha Ymeri./Qendra.Info