Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Kulturë

“Zbehja e figurës së Ukshin Hotit, përmes teatrit”

Nga: Driton Fejzullahu

Valon Arifi by Valon Arifi
04/09/2025
in Kulturë
0
“Zbehja e figurës së Ukshin Hotit, përmes teatrit”
0
SHARES
24
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Në kuadër të Festivalit të Teatrove në Ferizaj, është shfaqur drama “Bëje ose vdis”, e dedikuar figurës së Ukshin Hotit. Kritiku dhe filozofi Driton Fejzullahu, ka reaguar me një shkrim të gjatë ku thekson se shfaqja nuk e ngriti, por përkundrazi e zbehu figurën e Ukshin Hotit, duke e depersonalizuar dhe zhvendosur fokusin tek personazhe të tjerë lokalë. Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e tij kritik:
Pas shumë vitesh mungese, u riktheva në teatër për të parë dramën “Bëje ose vdis” kushtuar figurës së Ukshin Hotit, në kuadër të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Por ajo që prita të ishte një madhërim i figurës së një prej personaliteteve më të mëdha kombëtare, u shndërrua në një zhgënjim të thellë.

Drama pa dimension historik e heroik

Në vend që të ndriçonte fatin tragjik dhe idealin e Ukshin Hotit, shfaqja solli një portretizim të zbehur e të paqartë. Mungoi tensioni dramatik, mungoi dhimbja dhe mllefi që ai kishte përballë sistemit represiv. Në vend të afirmimit, figura e tij u kufizua e madje u depersonalizua.

Zhvendosja e fokusit
Një nga gabimet më të mëdha artistike ishte që pesha e dramës u zhvendos nga Ukshin Hoti te personazhe të tjerë lokalë, si Bajrush Xhemajli apo Lumnije Morina. Kjo krijoi përshtypjen se teksti ishte shkruar për të joshur publikun e Ferizajt dhe jo për të madhëruar Ukshinin. Madje, edhe zëri i tij narrativ iu besua një aktoreje, gjë që e bëri figurën edhe më të paqartë.

Mungesa e hulumtimit
Drama përziente elemente biografike e ideologjike në mënyrë të ngatërruar, pa thellësi dhe pa saktësi. Thënia “Bëje ose vdis”, një maksimë e fuqishme filozofike e patriotike, u reduktua në një slogan të thatë.

Ukshin Hoti meriton më shumë

Ukshin Hoti është një figurë e jashtëzakonshme: mendimtar, idealist dhe një prej personaliteteve më të ndritura të historisë shqiptare. Një shfaqje për të kërkon autorë me horizont të gjerë historik, njohuri filozofike dhe ndjenjë të fuqishme patriotike. Pa këto, rezultati është ajo që pamë në Ferizaj: një dramë e zbehtë, e ngatërruar dhe pa emocion.

Në vend të përjetësimit të denjë, publiku mori një shfaqje që e zbeh figurën e Ukshin Hotit dhe ia mohon madhështinë. Një gabim i rëndë artistik e historik.

– Më poshtë gjeni tekstin e plotë të autorit, të publikuar në rrjetin e tij social Facebook:

“Pas një kohe të gjatë mungese, vendosa të rikthehem në teatër. Arsyet e largimit tim nga ky teatër ishin të shumta, por më e forta lidhej me përvojën e hidhur që pata me dramën “Gadjo” e cila më pati tronditur aq shumë sa vendosa të mos shkelja më në sallën e teatrit.
Megjithatë, këtë herë, rasti ishte ndryshe në teatrin “Adriana” të Ferizajt po zhvillohej “Festivali i Teatrove”, edicioni 55’një ngjarje e rëndësishme që mbledh trupat artistike dhe dramat më përfaqësuese nga të gjitha trevat shqiptare. Një arsye e shtuar ishte fakti se në skenë do të vinte drama “Bëje ose vdis”, kushtuar figurës së shquar kombëtare Ukshin Hoti.
Ky emër më bëri kureshtar, ndonëse dyshimi im për autorin mbeti i madh. Dhe, për fat të keq, ky dyshim u vërtetua. Huqja kontekstuale Në thelb, drama synonte një trajtim heroiko-historik, që do të ndriçonte fatin e Ukshin Hotit dhe të rrëfente historinë e tij mes burgjeve dhe torturave. Mirëpo, ajo që u ofrua në skenë nuk ishte as ndriçim, as madhërim, por një keqinterpretim i ngutshëm, i ngatërruar dhe pa përmasa heroike dhe historike. Autori tregoi mungesë të njohjes së horizontit historik ku kishte vepruar Ukshin Hoti.
Ngjarjet e shfaqura në burg dhe gjyq nuk arritën të krijonin atmosferën e duhur. Mungoi tensioni dramatik, mungoi dhimbja e thellë, mungoi mllefi që Ukshini kishte përballë sistemit represiv. Shfaqja, në vend që ta afirmonte figurën e tij, e kufizoi dhe e zbehu. Depersonalizimi i figures së Ukshin Hotit Një nga gabimet më të mëdha artistike ishte depersonalizimi i figurës së Ukshin Hotit.
Në vend që ai të ishte boshti i dramës, pesha u zhvendos te një personazh tjetër, Bajrush Xhemajli, i cili mori më shumë vëmendje në skenë. Kjo bëri që Ukshini, që duhej të ishte qendra e shfaqjes, të shfaqej i zbehur e periferik. Madje, në disa raste, edhe zëri narrativ i Ukshinit iu besua një aktoreje.
Ky artificialitet nuk i shtoi forcë skenës, përkundrazi e bëri figurën e tij të paqartë, duke i marrë dimensionin unik që e karakterizon. Mungesa e hulumtimit dhe ngatërrimi i konteksteve Një tjetër mangësi e dukshme ishte mungesa e hulumtimit. Drama përziente elemente biografike me ato ideologjike në mënyrë të ngatërruar. Retrospektiva e jetës së Ukshinit, që nga burgosja e parë e deri te zhdukja e tij tragjike, nuk u trajtua me saktësi. Maksima “Bëje ose vdis”, e cila është një thënie e fuqishme patriotike dhe filozofike, nuk u mishërua në tekstin dramatik. Ajo u reduktua në një slogan të zbehtë, pa thellësi, pa peshë ideologjike dhe pa emocion. Një tjetër veçori e dyshimtë ishte futja e personazheve të tjerë nga Ferizaj (Bajrush Xhemajli, Lumnije Morina, Sanije Aliu etj), që dukeshin më shumë si një mënyrë për të joshur publikun lokal sesa për të pasuruar strukturën e dramës.
Kjo krijoi përshtypjen e një teksti me porosi, e jo të një drame që e meriton figura e Ukshin Hotit. Pyetja themelore: cili ishte qëllimi i kësaj drame? Cili ishte qëllimi i dramës “Bëje ose vdis”? Nëse synimi ishte ngritja e figurës së Ukshin Hotit, atëherë shfaqja dështoi, sepse ai u portretizua i zbehur dhe i tjetërsuar.Nëse qëllimi ishte informimi i publikut, ky informacion u servir i ngatërruar dhe i paqarte.Nëse qëllimi ishte zbutja e së vërtetës historike, atëherë drama e arriti këtë, por në kurriz të së vërtetës dhe të figurës së Ukshinit.

Figura e Ukshin Hotit nuk është një figurë që mund të trajtohet me lehtësi. Ai është një nga personalitetet më të mëdha të historisë sonë, një mendimtar i thellë dhe një idealist i përkushtuar në idealin kombëtar. Historia e tij është e jashtëzakonshme, edhe e dhimbshme edhe tejet frymëzuese.
Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për ta sjellë në skenë duhet të jetë e bazuar në lexime dhe studime serioze siç do të ishin: “Letërkëmbimet” apo vepra e Kadaresë “Bisedë përmes hekurash” që do ta pasuronte dhe madhështone Ukshin Hotit dhe do ta ngriste në një lartësi meritore. Drama “Bëje ose vdis” nuk e përmbushi as misionin historik e as atë dramatik. Ajo jo vetëm që nuk ngriti figurën e Ukshin Hotit, por e depersonalizoi, duke i mohuar madhështinë. Duke më lënë të kuptoj se ku prekë dora e Jeton Nezirajt, ulja, degradimi dhe shkatërrimi janë të sigurta. Në vend të një përjetësimi të denjë siç e meriton figura e Ukshin Hotit, publiku mori një dramë të zbehtë, të ngatërruar dhe pa thellësi, pa emocion dhe pa asnjë dromcë estetike.
Përzgjedhja e një personaliteti si Ukshin Hoti është një akt i madh dramatik dhe artistik që më joshi të shoh këtë shfaqje pa pikë potenciali. Por ky akt shkrimi për figurën e Ukshin Hotit, nuk mund të kryhet nga kushdo, e as me sipërfaqësi sepse shkatërron një nga figurat më të ndritura të përpjekjes sonë kombëtare.
Figura e Ukshin Hotit, kërkon një autor me horizont të gjerë historik, me njohje të thellë filozofike dhe me ndjenjë të fuqishme patriotike. Vetëm atëherë Ukshin Hoti mund të marrë vendin që i takon, edhe në skenën e teatrit, ashtu siç e ka në historinë shqipare”

Related

Previous Post

Tim bir nuk e shoqëroj dot në klasën e parë”, Veliaj mesazh fëmijëve për vitin e ri shkollor: Një urim, një ndjesë dhe tre këshilla

Next Post

“Ma mirë për komunën”- Krasniqi zbulon slloganin e PDK’së për zgjedhjet e 12 tetorit

Next Post
“Ma mirë për komunën”- Krasniqi zbulon slloganin e PDK’së për zgjedhjet e 12 tetorit

“Ma mirë për komunën”- Krasniqi zbulon slloganin e PDK’së për zgjedhjet e 12 tetorit

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.