Një studim i ri nga BookRetreats ka shpallur një qytet të njohur si destinacioni më i lumtur për udhëtime në botë.
Qyteti fitues u rendit më lartë falë opsioneve të shëndetshme për ushqim, mundësisë për të ecur, hapësirave të gjelbra dhe diellit të pakufizuar.
Ndërkohë që Disneyland ka pretenduar ta mbajë përgjithmonë trofeun si “Vendi më i lumtur në Tokë”, por asgjë nuk zgjat përgjithmonë.
Kompania bashkëpunoi me psikologen e Harvardit dhe eksperten e lumturisë holistike, Dr. Natalie Dattilo-Ryan, për të analizuar 47 destinacione udhëtimesh bazuar në pesë faktorë “që ndihmojnë të ndihesh mirë”: drita e diellit, cilësia e gjumit, dieta e shëndetshme, koha në natyrë dhe aktiviteti fizik.
Lisbona doli e para sepse “shkëlqen” në disa kategori.
Siç raportohet në studim, rreth 10% e restoranteve në kryeqytetin e Portugalisë konsiderohen të shëndetshme dhe opsionet ushqimore janë të “aksesueshme dhe të përballueshme”.
Një faktor tjetër është mundësia për të ecur lehtësisht, pasi udhëtarët mund të lëvizin nga një vend në tjetrin në këmbë, duke shijuar pamje të mahnitshme të monumenteve të Lisbonës gjatë rrugës.
Studimi gjithashtu përmend hapësirat e gjelbra të qytetit dhe “2,828 orë diell në vit” si cilësi shtesë që e bëjnë Lisbonën destinacionin më të lumtur për udhëtime në botë.
Sipas Dattilo-Ryan, këta faktorë janë të rëndësishëm për t’u mbajtur parasysh kur zgjidhet një destinacion udhëtimi, pasi ndihmojnë trupin të çlirojë “hormone lumturie” si serotoninën, dopaminën, endorfinat dhe oksitocinën.
“Këto kimikate ndikojnë në gjithçka, nga humori dhe gjumi te energjia dhe tretja,” shtoi ajo. “Dhe shumë nga gjërat që i shkaktojnë, si drita e diellit, lëvizja, ushqimi dhe pushimi cilësor, shpesh janë pjesë e një pushimi të mirë, nëse zgjidhni destinacionin e duhur.”